Edhe më herët janë publikuar informacione nga kompania BMW se modeli X5 me motor hibrid do të hyjë në prodhim serik.
Të kujtojmë, BMW X5 Hybrid si një koncept premierën e ka mbajtur në shtator të vitit 2013 në panairin e veturave në Frankfurt, gjithashtu edhe në prill të vitit 2014 në panairin e veturave në New York është promovuar si model i modifikuar.
Më në fund, para nesh tani është edhe versioni serik, i cili zyrtarisht mban emrin BMW X5 xDrive40e.
BMW X5 xDrive40e posedon motorin benzinë Turbo 2.0-litër, 4-cilindrash me kapacitet prej 245 kuaj fuqi, motorin elektrik me kapacitet prej 113 kuaj fuqi, baterinë litium-jon prej 9 kWh dhe marshin Steptronic me 8 shpejtësi, ndërsa fuqia e kombinuar e motorit është me kapacitet prej 313 kuaj fuqi.
Sipas të dhënave nga fabrika, kjo veturë e rëndë 2230 kilogramë ka shpenzim mesatar të karburantit prej 3.4 litër në 100 kilometra, emisionin e dyoksidit të karbonit prej 78 gramë për km, transmeton Koha.net, shpejtësinë prej 0 deri në 100 km/h e arrin për rreth 6,8 sekonda dhe atë maksimale e arrin deri në 210 km/h, ndërsa me motorin elektrik, kjo veturë mund të udhëtojë deri në 31 kilometra.
Mbushja e baterisë në prizën e zakonshme në shtëpi qëndron 3 orë e 50 minuta, përkatësisht 2 orë e 45 minuta kur përdoren opsionet BMW dhe Wallbox.
Duhet të përmendim gjithashtu se ky model posedon rrotat 18-inç me goma 255/55 R18, si dhe kapacitetin e bagazhit prej 500 deri në 1720 litra.
Ky model do të prodhohet në fabrikën e BMW-së, Spartanburg, në Shtetet e Bashkuara, ku janë duke u prodhuar edhe modelet standarde X5, X3, X4 dhe X6.