Alex Sandro dhe Giorgio Chiellini pritet të mungojnë në ndeshjen kundër Milanit, pasi Juventusi dëshiron t’i ketë të gatshëm dy futbollistët për sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Takimi i parë çerekfinal i Ligës së Kampionëve në mes të këtyre skuadrave zhvillohet të martën (3 prill) në Torino, ndërsa dueli ndaj Rossonerëve është të shtunën e ardhshme.
Mario Mandzukic është kthyer më herët në shtëpi nga përfaqësuesja e Kroacisë, prandaj pritet të nisë nga minuta e parë. Ai mund të angazhohet në krah, por edhe si qendërsulmues.
Në këtë mënyrë, pritet të pushojë Gonzalo Higuain, i cili ka qenë i angazhuar në dy miqësore me Argjentinën, ndaj Italisë dhe Spanjës.
Edhe Chiellini edhe Alex Sandro kanë pasur probleme me lëndime, prandaj nuk ka dyshim se Massimiliano Allegri nuk do t’i rrezikojë në ndeshjen e kampionatit italian.
Miralem Pjanic dhe Medhi Benatia pritet të startojnë ndaj Milanit, meqenëse janë të suspenduar për takimin ndaj Real Madridit.
Në ndërkohë, në ditët në vijim, mjekët do ta informojnë Federico Bernardeschin se a duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike që do të thoshte përfundim i sezonit për të. /Telegrafi/