Angel Di Maria thotë se Paulo Dybala është keqkuptuar kur ka thënë se e ka të vështirë të luajë me Lionel Messin te Argjentina.
Sulmuesi i Juventusit është rritur duke e admiruar superyllin e Barcelonës, mirëpo në një deklaratë të mëparshme, kishte thënë se e ka të vështirë të luajë krahas tij, duke qenë se marrin pozita të njëjta në fushë.
“Mendoj se ajo që ka thënë Dybala është keqkuptuar”, ka thënë anësori i Paris Saint-Germainit për Fox Sports Radio, duke shtuar se të gjithë dëshirojnë të luajnë me numrin 10 të Barcës.
“Messi nuk më pengon mua, më pëlqen shumë të luaj me të, më ngazëllen. Gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një lojtari është që të luajë më të mirët dhe me jashtëtokësorët”, ka shtuar Di Maria.
Dybala është krahasuar vazhdimisht me Messin në vitet e fundit dhe është konsideruar si pasues i tij te kombëtarja e Argjentinës.
Ndërsa shumëkush konsideron se futbollisti i Juves nuk mund ta arrijë nivelin e njërit prej futbollistëve më të mirë në histori.
Nga ana tjetër, ka pasur edhe interesim të gjigantëve spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid, për ta transferuar 24-vjeçarin në La Liga. /Telegrafi/