Site icon Telegrafi

Detajet nga oferta e re e Juventusit për Dybalan

(Foto: Instagram/paulodybala)

Takimi ndërmjet agjentit të Paulo Dybalas dhe përfaqësuesve të Juventusit ka zgjatur disa orë, ndërsa Zonja e Vjetër thuhet t’i ketë ofruar sulmuesit pagë më të ulët nga marrëveshja e arritur disa muaj më parë.

Kontrata e tanishme e argjentinasit skadon në fund të muajit qershor dhe bisedimet për rinovimin e saj nisën mëngjesin e sotëm (e hënë), pasi klubi ishte tërhequr nga oferta që ia kishte bërë në fund të vitit të kaluar,

Dy palët i kishin shtrënguar duart për një pagë vjetore prej 11 milionë eurosh (duke i përfshirë edhe bonuset), mirëpo bardhezinjtë e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për shkak të problemeve fizike të lojtarit dhe për shkak të problemeve financiare.

Sipas Calciomercato.com, Juventusi i ka ofruar Dybalas shtatë milionë euro në sezon plus bonuset që do t’i mundësonte të përfitojë pagë të përafërt me atë të arritur në dhjetor. Megjithatë, kohëzgjatja e kontratës së re do të ishte më e shkurtër nga marrëveshja e mëparshme: tri vite (dhe jo katër).


Lexo po ashtu Sipas raportimeve në shumë media italiane, Dybala NUK DO TA VAZHDOJË kontratën me Juventusin dhe do të largohet në fund të sezonit

Në anën tjetër, Sky Sport Italia bën të ditur se oferta Bianconerëve për pagën fikse të futbollistit është akoma më e vogël, rreth gjashtë milionë euro në vit, por do të arrinte deri nq 10 milionë në bazë të shtesave.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me komisionet e agjentëve, të cilat janë shumë më të ulëta në ofertën aktuale. Dy palët pritet të takohen sërish në javët në vijim, mirëpo deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Vendimi tash i takon Dybalas, me disa klube – duke përfshirë Barcelonën, Interin dhe Tottenham Hotspur – të lidhur me sigurimin e shërbimeve të tij gjatë verës. Por, sipas Calciomercato, Dybala ende nuk ka marrë oferta më të larta se ajo që i ka bërë Juventusi. /Telegrafi/

Exit mobile version