Marrëveshja e West Ham për të nënshkruar me mbrojtësin e Manchester United, Harry Maguire, ka dështuar.
“Harry respekton West Ham dhe David Moyes, por për të qenë i qartë nuk ka pasur kurrë një marrëveshje midis Harry dhe West Ham”, raporton Sky Sports.
“Procesi ishte më pak i avancuar sesa portretizohej në media. Për shembull, në asnjë moment Harry nuk ka folur me David Moyes”.
“Harry mbetet i fokusuar te United, e do klubin dhe beson se do të ketë shumë mundësi për të luajtur këtë sezon”, raporton më tej mediumi anglez.
Erik ten Hag ka thënë gjithmonë se Maguire është një pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe se është i lumtur që ai të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij.
Duke folur përpara fitores 1-0 ndaj Wolves të hënën, holandezi deklaroi: “Ai duhet të luftojë për vendin e tij. Ai ka aftësinë për të qenë një qendërmbrojtës i klasit të lartë dhe ai është më i miri për Anglinë, kështu që pse jo ai të jetë edhe më i miri për ne?”.
“Por, ai duhet ta dëshmojë këtë. Kur ai nuk është mjaft i sigurt për të luftuar, atëherë ai duhet të largohet, atëherë ai duhet të marrë një vendim, por unë jam i kënaqur me të”, ka potencuar më tej Ten Hag.
Maguire humbi shiritin e kapitenit te United në fillim të kësaj vere dhe zbuloi “zhgënjimin e tij ekstrem” pas vendimit të Ten Hag.
Javën e kaluar West Ham ra dakord për një tarifë prej 39 milionë euro për të nënshkruar me Maguiren, por mbrojtësi tani nuk do të shkojë në stadiumin e Londrës. /Telegrafi/