446 milionë njerëz jetojnë në territorin e asaj që njihet si Bashkimi Evropian. Ky institucion evropian ende nuk ka vendosur që tu japë liberalizimin e vizave edhe 1.8 milionë banorëve të Kosovës të cilët nuk mund të udhëtojnë lirshëm sikurse çdo vend tjetër nga Ballkani Perëndimor dhe kjo ka irrituar qytetarët e vendit.
Bashkimi Evropian po vazhdon t’ua shuaj shpresat kosovarëve për liberalizim të vizave. Tash ku po bëhen një dekadë që kur ka nisur ky proces, BE-ja ende nuk ma marrë ndonjë hap konkret për të çuar përpara këtë proces.
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën theksohet se “Qytetarët e Kosovës janë të vetmit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ju nevojitët një vizë për të udhëtuar në zonën Shengen.
Procesi për liberalizimin e vizave ka nisur në vitin 2012. Në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret drejt rrugës për liberalizimin e vizave dhe i rekomandojmë Këshillit dhe Parlamentit Evropian të ecë përpara me propozimin për liberalizimin e vizave. Komisioni vazhdon të qëndrojë pas deklaratës të korrikut 2018. Parlamenti Evropian, në të kaluarën dhe në legjislaturën e tanishme, ka votuar në favor të propozimit të Komisionit, por kjo e fundit është ende në pritje të Këshillit”.
Se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, e ka ripërsëritur muaj më parë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
“Kam shpresuar që gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së nga Gjermania do ta kemi në agjendë këtë çështje sepse të gjithë e dimë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës, sepse ka ende disa anëtarë të këshillit që hezitojnë”, tha Von Cramon.
Ajo kishte theksuar se Bashkimi Evropian nuk i ka bërë detyrat e veta.
“Për këtë arsye BE-ja po e humb kredibilitetin në këtë rast. Është koha që BE-ja të kryej detyrat e veta. Kushtet janë përmbushur dhe Kosova duhet të marrë liberalizimin”, deklaroi muaj më parë në Prishtinë, Cramon.
Pas publikimit të raportit të fundit të KE-së për Kosovën, pati reagime të shumta nga akterët politik në Kosovë. Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në një reagim në Twitter tha se BE-ja me mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën është duke e humbur besueshmërinë e saj.
“BE-ja me mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe me raportet që fshehin realitetin e gjendjes së punëve në Serbi, është vetëm duke humbur besueshmërinë e saj në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hoxhaj.
The #EU with the lack of visa liberalization for #Kosovo & with reports that hide the reality of the state of affairs of #Serbia, is just losing its credibility & standing in Western Balkans. pic.twitter.com/0TTXOqbRfz
— Enver Hoxhaj (@Enver_Hoxhaj) October 19, 2021
Kosova ka kryer detyrimet e saj, BE-ja duhet të jap miratimin
Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive në Institutin e Prishtinës për Studime Politike, ka thënë për Telegrafin se Bashkimi Evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe shtetndërtimin e Kosovës që nga viti 1999, dhe se roli i BE ka qenë jetik në promovimin e praktikave dhe normave më të mira të tyre, në ofrimin e ndihmës financiare në mbështetje të zhvillimit socio-ekonomik.
“Përgjatë viteve, figurat kryesore politike kanë pohuar vazhdimisht se integrimi në BE është rruga jonë e vetme përpara dhe se institucionet tona janë plotësisht të përkushtuara ndaj këtij procesi. Për më tepër, qytetarët kanë përforcuar vazhdimisht mendimin pozitiv drejt integrimit dhe anëtarësimit në BE, siç tregohet nga sondazhe të ndryshme të opinionit publik të kryera ndër vite. Rezultatet e sondazhit vjetor të PIPS mbi politikën ndërkombëtare (2020) tregojnë se kosovarët janë jashtëzakonisht optimist se Kosova do të bëhet anëtare e BE-së në një periudhë kohore prej pesë deri në dhjetë vjet”, tha Kryeziu.
Kryeziu tutje shtoi se në vitin 2012 BE prezanton dialogun për liberalizimin e vizave, duke krijuar një udhërrëfyes të përbërë nga 95 kritere që përfshijnë reformat vendimtare.
“Pas shumë vitesh përpjekje për të përmbushur të gjitha detyrat dhe detyrimet, KE-ja deklaroi në vitin 2018 se Kosova i përmbushi të gjitha detyrimet për një regjim pa viza që rrjedhin nga udhërrëfyesi. Sidoqoftë, deri më sot propozimi i KE-së është ende në pritje të miratimit në Këshillin e BE-së. Si rezultat, Kosova është i vetmi vend në Ballkan, qytetarët e të cilës nuk gëzojnë regjim pa viza me Zonën Shengen”, u shpreh ajo.
E pyetur se ku mund të ketë çaluar Kosova gjatë këtij procesi, Kryeziu theksoi se edhe në raportin e KE-së u tha se Kosova i ka kryer detyrimet e saj, dhe se tani mbetet te vendet anëtare të BE-së që të japin miratimin e tyre.
“Parlamenti Evropian ju ka bërë thirrje vendeve anëtare që të japin vendimin pozitive pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Siç e dëgjuam dje edhe raporti i vendit për Kosovë pohonte të njëjtën se Kosova i përmbushur të gjitha detyrime dhe se duhet ti jepet lëvizja e lirë”, u shpreh Kryeziu.
Drejtoresha e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, më tej theksoi se ende mbetet e paqartë se kur mund të përfundoj ky proces, duke përmendur si shkak edhe hezitimin e Francës dhe Holandës për heqjen e vizave për kosovarët.
“Dy vendet të cilat tradicionalisht e kanë refuzuar liberalizimin janë Franca dhe Holanda. Mbetet e paqartë se kur mund të përfundoj ky proces, zhvillimet në BE me ndryshimin e lidershipit, largimi i kancelares Merkel ka sjell një momentum të ri dhe hapësirë për ri pozicionimin e Francës. Në vitin 2022 Franca do të mbajë zgjedhjet parlamentare, dhe ka pak gjasë dhe shpresë që të kemi një vendim për liberalizmi pa përfundimin e këtij procesi”, u shpreh Kryeziu.
Vendet e BE-së që po hezitojnë t’i japin liberalizimin Kosovës
Franca, Holanda dhe Belgjika ani pse kanë njohur pavarësinë e Kosovës, këto tri shtete vazhdojnë të jenë skeptike sa i përket heqjes së vizave për Kosovën.
Në qershor të këtij viti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte deklaruar se këto tri shtete kanë problem se nuk është duke u bërë mjaftueshëm në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
“Mendoj që një pjesë e brengës nuk ka të bëjë me Kosovën, por me dëshpërimin e qytetarëve të këtyre shteteve për procesin e shpejt të liberalizimit që ka ndodhur me disa shtetet të cilat janë burim i shumë problemeve”, ka thënë Bislimi.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning në qershor të këtij viti kishte deklaruar se argumentet e ofruara nga institucionet e Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë qenë mjaft bindëse deri më tani.
“Deri më tani, në Këshill ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i cili drejtohet nga standardet që duhet t’i përmbushë një vend në mënyrë të qëndrueshme, para se Këshilli të marrë vendim për heqjen e vizave. Kur Komisioni Evropian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, kishte deklaruar de Koning.
Pos Holandës, Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 23 qershor të këtij viti, kryeministri Albin Kurti ka thënë se përfaqësuesit e këtij shteti nuk kanë ndërruar qëndrim sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, ka deklaruar kryeministri Kurti për televizionin publik të Kosovës po atë ditë.
Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011. Tre vjet më parë, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.
Pavarësisht premtimeve të shumta nga ana e Bashkimit Evropian për heqje të vizave, Kosova mbetet në një listë me Afganistanin, Bangladeshin, Kubën, Republikën Dominikane e shumë vende të tjera që ju nevojitet një vizë për të udhëtuar drejt Evropës. /Telegrafi/