Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas procesit të votimit në veri të vendit.
Kurti përmes një postimi në Facebook, thotë se qytetarët serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – sot patën mundësinë të shkarkojnë kryetarët aktual në një proces demokratik dhe të ligjshëm zgjedhor.
Kryeministri thotë se Serbia e kishte ta qartë se mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50% të votave për shkarkimin e kryetarëve.
“Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të iniciuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%”.
I pari i Qeverisë thotë se sipas të dhënave nga terreni, në aspektin e sigurisë situata është raportuar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar.
“Por, ka pasur ndërhyrje të shumta të frikësimit e kërcënimeve nga Serbia. Procesi i sotëm zgjedhor është dëshmi e ambientit të përmirësuar të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Falënderojmë Komisionin Qendror Zgjedhor dhe të gjitha institucionet e Kosovës për organizmin dhe mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor i cili rrodhi pa incidente”.
Ashtu si edhe Presidentja Osmani, Kurti ka thënë se mbajtja e zgjedhje ishte një kusht nga Bashkimi Evropian për largimin e masave ndaj Kosovës dhe sipas tij tashmë kjo duhet të ndodh.
“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë”.
Sipas kreut të ekzekutivit tashmë është koha që kryetarët të vazhdojnë detyrën nga objektet komunale.
“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Kurti./Telegrafi/