Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një intervistë të dhënë për Telegrafin, tha se buxheti prej 471 mijë euro, i ndarë nga Qeveria e Kosovës, për organizmin e zgjedhjeve në katër komunat në veri, është i mjaftueshëm.
“Shuma është më se e mjaftueshme. Në shkresën e dërguar Qeverisë kemi treguar se kemi planifikuar këtë buxhet për dy raunde, sepse për zgjedhjet në komuna mund të ketë edhe raund të dytë. Pra nëse kemi vetëm një raund, do të shpenzohet një shumë e caktuar, ndërsa nëse janë dy raunde, atëherë do të shpenzohen të gjitha”, ka deklaruar ajo.
Kurse, sa i përket vendosjes së simboleve shtetërore në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ajo tha se nuk do të ketë asnjë problem sepse me këto simbole janë organizuar edhe zgjedhjet e vitit 2017, zgjedhjet parlamentare dhe lokale, dhe kjo çështje është tejkaluar dhe nuk diskutohet.
Daka, për Telegrafin tha se trendi i daljes së qytetarëve në zgjedhjet paraprake ka qenë 45%, dhe që nuk beson se do t’i iket trendit as në këto zgjedhje.
Në fund, Daka dha një mesazh për subjektet politike dhe për të gjithë votuesit që kanë të drejtë vote.
“Për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e tyre që garojnë në këto zgjedhje, mesazhi im është që t’i respektojnë ligjet që janë në fuqi, dhe Kushtetutën e Kosovës. Votuesit me të drejtë vote ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të dalin në ditën e zgjedhjeve të votojnë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, subjektet politike, Vetëvendosje, PDK dhe Lista Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë aplikuar me nga katër kandidatë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të mbahen më 19 maj.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim për shpalljen e këtyre zgjedhjeve, pasi në nëntor të vitit të kaluar, kryetarët e tyre dhanë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, por edhe nga Bosnja e Hercegovina. /Telegrafi/