Trajneri i ri i Interit, Antonio Conte, dëshiron të sjellë Mateo Kovacicin në Giuseppe Meazza nga Real Madridi pas huazimit të Chelsea këtë sezon.
Do të ishte një ribashkim, sepse mesfushori kroat e la Dinamo Zagrebin për Interin në një marrëveshje në vlerë prej 11 milionë eurosh në janar të vitit 2013.
Ai u shit në Real Madrid për 38 milionë euro në 2015 dhe verën e kaluar u huazua te skuadra angleze, Chelsea.
Nuk duket sikur skuadra nga Stamford Bridge do të blejë përfundimisht lojtarin, kështu që gazeta Tuttosport sugjeron se Conte e dëshiron atë te Interi.
Nëse Real Madridi do t’i lejojë atij një huazim me mundësi blerje te Interi, ata do të duhet të zgjasin kontratën e tij deri më 20 qershor 2022, duke u dhënë atyre disa garanci për të ardhmen e tij.
Kovacic do të mbush 26 vjet në gusht dhe këtë sezon ka bërë 51 ndeshje në të gjitha garat me Chelsean, duke kontribuar me dy asistime. /Telegrafi/