Antonio Conte thuhet se ka vendosur yllin francez N’Golo Kante dhe dyshen Arturo Vidal dhe Emerson Palmieri në krye të listës së dëshirave të tij të transferimeve për Interin e sezonit të ardhshëm.
Trajneri është ankuar në mënyrë të përsëritur për mungesën e ‘përvojës’ në skuadrën e tij, të cilën ai e fajëson për dështimin dhe humbjet e fundit.
Nerazzurrët kanë humbur shumë pikë naive në ndeshjet e fundit dhe ato kryesore në Serie A këtë sezon dhe aktualisht zënë vendin e katërt.
Sipas gazetës La Gazzetta dello Sport, Conte po kërkon mesfushorin 29-vjeçar të Chelseat, Kante, i cili nuk është më i paprekshëm në ekipin e Frank Lampardit.
Reprezentuesi francez ka bërë 27 paraqitje në të gjitha garat për Chelsean këtë sezon, duke shënuar tre gola, por nuk është paraqitur fare në dy takimet e fundit.
Kante luajti 89 ndeshje nën drejtimin e Contes në Stamford Bridge dhe do të gëzonte një ribashkim me trajnerin italian.
Një tjetër opsion i mesfushës është Vidal, kontrata e të cilit me Barcelonën skadon në qershor të vitit 2021.
Vidal sapo ka mbushur 33 vjet dhe drejtorët e Interit nuk ishin të gatshëm të paguanin çmimin e kërkuar prej 20 milionë eurosh në janar.
Dihet që Nerazzurrët po ndjekin edhe një tjetër lojtar të Chelseat, mbrojtësin e krahut të majtë Emerson Palmieri, i cili gjithashtu vlerësohet afro 20 milionë euro. /Telegrafi/