Site icon Telegrafi

Cilat vende mund të zëvendësojnë gazin rus në Evropë?

Bashkimi Evropian dëshiron të bëhet e pavarur nga gazi rus, ndërsa shefi i Kremlinit, Vladimir Putin po kërcënon me mbylljen e gazsjellësit “Nord Stream I”. Por, cilat vende mund t’i plotësojnë nevojat për gaz në Evropë?

Gjermania në veçanti është përfshirë në këtë grackë. Sipas Agjencisë Federale të Rrjeteve, rreth 55 për qind e gazit të importuar aktualisht vjen nga Rusia, kështu që varësia është veçanërisht e lartë në krahasim me vendet e tjera evropiane, me përjashtim të Hungarisë e cila importon rreth 85 për qind të gazit nga Rusia.

Rezervat gjermane të gazit kanë rënë nën 30 për qind të kapacitetit të magazinimit. Për këtë arsye është duke u diskutuar edhe për rritjen e importit të gazit të lëngshëm LNG (Liquefied Natural Gas). Por, cilat vende mund të konsiderohen si furnizues shtesë?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

SHBA-ja është një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror dhe eksportuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm në botë, duke i falënderuar edhe frakingut. Metoda është shumë e diskutueshme për arsye mjedisore. Procesi përfshin injektimin e një përzierjeje uji, rëre dhe kimikatesh në tokë, dhe kështu lirohet vaj ose gaz.

Megjithatë, BE-ja thuhet se tashmë është në negociata për importin e gazit shtesë nga SHBA-ja. Shtetet e Bashkuara kanë rritur tashmë eksportet e gazit të lëngshëm në Evropë në javët e fundit. Por Gjermania nuk do të përfitonte menjëherë nga ky gaz, sepse nuk ka asnjë terminal për LNG.

Norvegjia dhe Holanda

Norvegjia është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të gazit dhe ndërkohë furnizon rreth një të tretën e kërkesave të gazit të Gjermanisë. Por rritja e sasive të gazit nga Norvegjia nuk është e mundur.

“Ne aktualisht ofrojmë me kapacitet të plotë. Nuk kemi rezerva”, tha kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store në televizionin gjerman në mes të janarit.

Edhe Holanda, e cila siguron dhjetë për qind të gazit natyror të Gjermanisë, nuk mund të rrisë eksportet e saj, sepse nuk ka kapacitete më të mëdha.

Lexo po ashtu Eksportet e gazit amerikan mund ta zëvendësojnë 'lehtësisht' gazin rus

Katari

Katari është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm. Krahas Rusisë dhe Iranit, ai ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë. Por ky vend tashmë po prodhon në kufirin e tij të sipërm.

“Së pari kërkohen investime të rëndësishme në infrastrukturë dhe kontrata afatgjata me evropianët”, tha ministri i Energjisë Saad Sherida al-Kaabi në një takim me 11 përfaqësues të vendeve eksportuese të gazit në Doha, dy ditë përpara ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

Megjithatë, Katari mund të rrisë sasinë e gazit natyror LNG në vitet e ardhshme.

Përveç kësaj, disa anije që kanë me gaz që po udhëtonin në Azi me ngarkesa janë kthyer dhe kanë vazhduar rrugën drejt Evropës.

Algjeria

Algjeria është “vetëm” furnizuesi i dhjetë më i madh i gazit në botë. Por pjesa më e madhe e LNG-së e eksportuar prej andej në vitin 2021 ishte e destinuar pikërisht për tregun evropian. Kjo e bën Algjerinë një nga furnizuesit më të rëndësishëm të LNG për Evropën.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi në fund të shkurtit se vendi kishte rënë dakord të dërgonte më shumë gaz në Evropë.

Kreu i kompanisë shtetërore të energjisë, Toufik Hakkar tha se kompania e tij ishte “gati të nxirrte dhe të dërgonte gaz shtesë në BE nëpërmjet tubacionit Transmed, që lidh Algjerinë me Italinë”.

Por Hakkar pranoi se ky vend duhet të ketë një tepricë gazi të lëngshëm ose gazi natyror për të realizuar këtë synim. Algjeria së pari duhet t’i plotësojë marrëveshjet kontratktuale dhe detyrimet e marra më parë. Ekspertët supozojnë se Algjeria – të paktën në afat të shkurtër – nuk mund të plotësojë nevojat.

Lexo po ashtu Rusisë i bllokohet gjysma e rezervës së saj financiare

Nigeria

Nigeria me një qeveri autoritare është një nga vendet me rezervat më të mëdha të gazit në botë – më shumë sesa i nevojitet për tregun e saj. Ndërtimi i një tubacioni 4,000 kilometra nga vendi i Afrikës Perëndimore mund të nënkuptojë më shumë pavarësi nga gazi rus, të paktën në afat të mesëm. Pasi të përfundojë, tubacioni pritet të transportojë deri në 30 miliardë metra kub gaz në Algjeri. Nga atje mund të drejtohej në Evropë.

Deri më tani, tensionet politike midis Algjerisë dhe Nigerit, i cili kufizohet me Nigerinë dhe Algjerinë, e kanë penguar këtë projekt.

Nigeria tani eksporton gaz të lëngshëm në Evropë me anije. Blerësit më të mëdhenj janë Spanja, Franca dhe Portugalia, të cilat kanë terminale LNG.

Sipas Shoqatës Gjermano-Afrikane të Biznesit, më shumë se dymbëdhjetë miliardë metra kub u importuan nga Nigeria në Evropë në vitin 2019. Gjermania tani do të ndërtojë dy terminale LNG për të bërë të mundur importin e drejtpërdrejtë. Por deri në realizimin e këtij projekti mund të kalojnë vite të tëra.

Azerbajxhani

Azerbajxhani, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, planifikon të rrisë eksportin e gazit me 11 për qind këtë vit, tha një zyrtar i Ministrisë së Energjisë për Asia Times. Problemi është që ky vend i Kaukazit është i lidhur me kontrata afatgjata që janë nënshkruar vite më parë. Ndërkohë që edhe kërkesa e brendshme është rritur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit.

Që nga dhjetori 2020, vendi ka furnizuar kontinentin evropian nëpërmjet Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Korridori i gazit gati 900 kilometra i gjatë kalon nga kufiri turko-grek nëpërmjet Shqipërisë në Itali. /Deutsche Welle/

Exit mobile version