Kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka vendosur ta rinovojë kontratën me Bianconerët, edhe pse më herët kishte vendosur të largohej.
Mbrojtësi italian është i angazhuar me Azzurrët në ‘Euro 2020’, ku sonte (e martë) luan në gjysmëfinale kundër Spanjës.
Megjithatë, e ardhmja e tij vazhdon të jetë temë në mediat sportive. 36-vjeçarit thuhet se ka vendosur ta zgjatë qëndrimin në Allianz Stadium vetëm pas rikthimit të Massimiliano Allegrit.
Kontrata e tij me Juven ka skaduar më 30 qershor dhe akoma nuk ka rinovuar, por La Repubblica njofton se Chiellini do ta zgjatë qëndrimin së paku edhe për një vit për t’u ribashkuar me Allegrin.
Sipas kësaj gazete, qendërmbrojtësi kishte vendosur të transferohej në MLS, por kthimi i strategut italian e vendosi atë në qendër të planeve të tij për sezonin 2021/2022. /Telegrafi/