Chelsea është përgatitur që ta lejojë kthimin e Romelu Lukakut te Interi për një shumë maksimale prej 10 milionë eurosh, edhe pse Nerazzurrët po përpiqen që ta ulën përgjysmë (në pesë milionë euro).
Sipas Sky Sports UK dhe Sky Sport Italia, bisedimet kanë nisur gjatë ditës së sotme (e mërkurë) dhe dallimi ndërmjet kërkesës dhe ofertës nuk është edhe aq i madh.
Oferta është huazim për një sezon në vlerë prej pesë milionë eurosh, derisa klubi anglez është i gatshëm të pranojë 10 milionë euro.
Kjo shifër është shumë më e ulët nga sugjerimi fillestar i Chelseat prej 24 milionë eurosh në mënyrë që të mos humbte në sezonin 2022/2023.
Lukaku u shit te Chelsea për 113 milionë euro, por ai është shprehur i gatshëm që ta përgjysmojë rrogën në mënyrë që të realizohet kthimi te Interi.
Blutë e kanë të qartë se belgu nuk është i kënaqur në Stamford Bridge dhe nuk përshtatet në taktikat e trajnerit Thomas Tuchel. /Telegrafi/