Sulmuesi i Borussia Dortmund, Erling Haaland është rikthyer përsëri në radarin e klubit anglez, Chelseat.
Romelu Lukaku ishte njëri nga yjet e fundit që i është bashkuar Bluve, pasi në verë paguan 115 milionë euro për të marrë shërbimet e belgut nga Interi.
Megjithatë, sulmuesi belg ka dështuar të tregoj formën që pati te Interi dhe jo rrallëherë ka qenë pjesë e kritikave nga tifozët dhe njohësit e futbollit.
Qëndrimi i Lukakut në Londër mund t’i ketë ditët e numëruara pasi futbollisti belg nuk do të ndihej rehat me situatën që po kalon aktualisht, duke mos pasur një rol të padiskutueshëm titullari dhe një rikthim te Interi nuk përjashtohet.
Sipas mediumit Fichajes, vendi i lënë bosh nga një largim i mundshëm i Lukakut në sulmin e Chelseat do të bënte që Blutë të përpiqeshin ta mbushnin boshllëkun me yllin norvegjez të Dortmundit, Haaland, i cili ka qenë i lidhur edhe në verën e kaluar.
Vendimi përfundimtar i Haaland
Sulmuesi norvegjez pret të marrë një vendim për të ardhmen e tij të afërt, pasi për të ka interesim të madh edhe nga Real Madridi dhe Barcelona.
Dy klubet e mëdha spanjolle llogariten si favoritët kryesorë për të marrë shërbimet e sulmuesit nordik nga Dortmundi, për aq kohë sa Chelsea nuk vendos të bëjë një ofertë financiare të pakundërshtueshme. /Telegrafi/