Ende nuk i ka mbushur gjashtë muaj që nga transferimi tek Inter, por ai është bërë lider në mbrojtjen zi kaltër.
Fjala është për mbrojtësin fantastik, Milan Skriniar i cili ka shkëlqyer në këto 12 ndeshjet e para me Interin.
Sllovaku i talentuar përveç që ka qenë i pakalueshëm në mbrojtje ka shënuar edhe dy gola me ‘Neroazzurrët’.
Kjo ka bërë që për të të shpreh interesim gjiganti spanjoll Barcelona e cila e dëshiron transferimin e tij në ‘Camp Nou’.
Por tani në garë për mbrojtësin e talentuar është futur edhe kampioni aktual i Anglisë, Chelsea.
Sipas medieve angleze, Antonio Conte e vlerëson shumë mbrojtësin shtatlartë dhe po e kërkon në Londër.
Londinezët janë të gatshëm të ofrojnë rreth 60 milionë euro për transferimin e sllovakut në ‘Stamford Bridges’.
Në rast se Inter do ta pranojë këtë ofertë, atëherë talenti i Kombëtares së Sllovakisë do të bëhej mbrojtësi më i shtrenjtë në histori.
22-vjeçari iu bashkua Interit gjatë afatit kalimtar të verës nga Sampdoria për 23 milionë euro. /Telegrafi/