Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar sot lidhur me raportimet për çështjen e liberalizimit të vizave dhe Samitit të Bashkimit Evropian që do të mbahet më 23 qershor.
Kurti në një konferencë për media ku prezantoi nisjen e reformave në drejtësi tha se beson që imazhi i Kosovës në masë të konsiderueshme është rregulluar dhe kjo do të duhej edhe të reflektonte në qëndrimin dhe vendimin e BE-së, respektivisht të vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave.
“Ne moti i kemi plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave”, tha Kurti, duke shtuar se në raport me vendet e rajonit Kosova ka pasur më së shumti kritere për të plotësuar.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej kur Komisioni Evropian për të dytën herë ka rekomanduar liberalizimin e vizave, por që ende nuk ka ndodhur.
“Gjithmonë është theksuar problemi me imazhin e Kosovës, e gjatë këtij viti edhe aty kemi punuar dhe organizatat ndërkombëtare kanë dëshmuar se nuk është imazhi i para dy viteve dhe shpresoj se kjo të reflektoj në vendimin e vendeve të BE-së”, tha Kurti.
“Por nuk mund të flas në emër të tyre, e me data se kur do të liberalizohen vizat, në atë samit a në këtë konferencë sepse nuk është çështje e jona…. Po bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi detyrat e shtëpisë… shpresojmë në më të mirën por nuk mund të flasim në emër të tyre…”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se asnjëherë nuk ka dhënë data pasi është çështje që nuk varet prej tyre.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës po ashtu potencoi se marrëveshja me Serbinë lidhur me energjinë për katër komunat në veri e që pritet të arrihet gjatë javës së ardhshme nuk ka të bëjë dhe nuk lidhet me çështjen e liberalizimit të vizave. /Telegrafi/