Site icon Telegrafi

Ceferin: Juve, Real Madrid dhe Barcelona po e kërcënojnë UEFA-n

Aleksander Ceferin thotë se Juventus, Real Madrid dhe Barcelona po kërcënojnë UEFA-n dhe janë të vetmit që mendojnë se toka është e rrafshët.

Biankonerët dhe dy gjigandët e La Ligës nuk janë tërhequr nga Superliga Evropiane, konkursi i shkëputur që u nis në prill nga 12 klube elitare evropiane.

Sidoqoftë, nuk zgjati shumë pasi klubet e Ligës Premier u tërhoqën brenda 48 orësh dhe u ndoqën nga Inter, Milan dhe Atletico Madrid.

“Edhe njerëzit më pa mend në botë e kuptojnë që Superliga ka mbaruar”, ka thënë Ceferin për The Telegraph.

“Unë mendoj se tre klubet [Real Madrid, Barcelona dhe Juventus] të cilët ende mendojnë se kemi një Superligë na kanë ndihmuar në një farë mënyre sepse tani është shumë më e lehtë të flasësh për solidaritetin dhe gjithçka tjetër sepse ne mund t’u themi atyre thjesht shkoni në Superligën tuaj nëse nuk ju pëlqen”.

“Njerëzit thoshin ‘pronarë amerikanë’ [të tre klubeve të Ligës Premier janë fajtorë] por, mos harroni se të vetmit që mendojnë se toka është e rrafshët janë një italian dhe dy spanjollë”, vazhdoi Ceferin.

“Ata shkuan me një njoftim për shtyp se Superliga ende ekziston, ne ende kemi një Superligë. Dy ditë më vonë, ata dërguan një kërkesë për të luajtur në Ligën e Kampionëve”.

“Pra, ata janë në Superligë dhe jashtë Ligës së Kampionëve, por duan të jenë në Ligën e Kampionëve? Ata thanë që Liga e Kampionëve ka mbaruar, por ata ende duan të luajnë në të?”.

“Tani ata po kërcënojnë, duke dërguar letra se do të na padisin ne – gjykata penale, kjo gjykatë – ata padyshim që kanë shumë para. Ata duhet të investojnë në futbollin e femrave dhe futbollin e të rinjve”.

Javën e kaluar, UEFA njoftoi se procedurat disiplinore janë hapur kundër tre klubeve dhe sipas disa raportimeve, ato mund të përjashtohen nga Liga e Kampionëve për edicionin 2021-22. /Telegrafi/

Exit mobile version