Liverpooli duhet t’i shtojë përpjekjet për mbrojtësin e RB Leipzigut, Dayot Upamecano – ka thënë Jamie Carragher.
Sipas tij, për ta mbuluar periudhën e lëndimit të Virgil van Dijk, Redsat duhet ta transferojnë 21-vjeçarin në afatin kalimtar të janarit.
Qendërmbrojtësi holandez do të mungojë disa muaj si pasojë e lëndimit të ligamentit kryqëzues të përparmë të gjurit (ACL) në ndeshjen ndaj Evertonit, pas ndërhyrjes së portierit Jordan Pickford.
Ish-futbollisti i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se kampioni i Ligës Premier duhet të intervenojë në afatin dimëror për ta zëvendësuar Van Dijkun.
Ai ka thënë për Sky Sports se Redsat e kanë pasur në plan ta transferojnë një qendërmbrojtës në verën e ardhshme (për shkak të largimit të Dejan Lovren dhe lëndimeve të shpeshta të Joel Matip), mirëpo tash këtë duhet ta bëjnë që në janar.
“Është një djalë i ri për të cilin të gjithë po flisnin te Leipzigu, Dayot Upamecano, po flitet për të… Nëse është ai që e kanë dashur, atëherë duhet ta transferojnë”, ka këshilluar Carragher. /Telegrafi/