Site icon Telegrafi

Borussia Dortmund, klubi me strategjinë më të mirë të shitblerjeve në futbollin botëror

Klubi gjerman, Borussia Dortmund është padyshim klubi me menaxhimin më të mirë në futbollin botëror së paku në dekadën e fundit dhe këtë e tregojnë marrëveshjet e mëdha fitimprurëse ndër vite.

Erling Haaland do ta mbyllë kohën e tij në Borussia Dortmund këtë verë duke kompletuar një transferim te Manchester City.

21-vjeçari është bërë i fundit në një listë të gjatë lojtarësh, ylli i të cilëve është ngritur në lartësi të jashtëzakonshme gjatë kohës së tyre në klubin gjerman.

Lexo po ashtu Shifrat që qëndrojnë prapa transferimit të Erling Haaland te Manchester City

Haaland mbërriti për 20 milionë euro

Haaland do të përfundojë një transferim prej 60 milionë eurosh në Etihad Stadium, që është më pak se klauzola e lirimit që Mino Raiola kishte futur në kontratën e tij.

Norvegjezi mbërriti në Dortmund për 20 milionë euro nga Red Bull Salzburg në janar të 2020 dhe tashmë fitimi nga shitja e tij është plot 40 milionë euro plus bonuse.

Lewandowski kushtoi 4.7 milionë euro

Robert Lewandowski iu bashkua Dortmundit në vitin 2010 pasi klubi gjerman i pagoi Lech Poznan vetëm 4.7 milionë euro për shërbimet e tij.

Sulmuesi polak shijoi një rritje mahnitëse në Signal Iduna Park përpara se të transferohej te Bayern Munich si një transferim i lirë në verën e 2014.

Ardhja e Dembeles në vitin 2016

Një tjetër biznes i shkëlqyer nga Dortmundi erdhi në verën e vitit 2016, pasi klubi gjerman nënshkroi Ousmane Dembele nga Rennes për 35 milionë euro.

Dymbëdhjetë muaj më vonë, Barcelona bëri një ofertë prej 140 milionë euro për anësorin sulmues, i cili më pas përfundoi një lëvizje në Camp Nou.

Rritja dhe shitja e Aubameyangut

Pierre-Emerick Aubameyang nënshkroi për Dortmundin në verën e vitit 2013 në një marrëveshje me vlerë 13 milionë euro nga Saint-Etienne.

Pesë vjet më vonë, pasi u vendos si një nga sulmuesit më të mirë në Evropë, Aubameyang iu bashkua Arsenalit për 63 milionë euro.

Zbulimi i Isak

Alexander Isak luante për AIK-un në Suedi kur Dortmundi pagoi 8 milionë euro për nënshkrimin e tij në vitin 2017.

Dy vjet më vonë, Real Sociedad ofroi 15 milionë euro për shërbimet e sulmuesit dhe ai shpejt u transferua në vendin bask.

Sancho: Nga 8 milionë euro në 85 milionë

Jadon Sancho u largua nga akademia e Manchester City në vitin 2017 për t’iu bashkuar Dortmundit në një marrëveshje me vlerë 8 milionë euro.

Anësori anglez shkëlqeu gjatë kohës së tij në Gjermani dhe nënshkroi për Manchester Unitedin në verën e vitit 2021 për 85 milionë euro.

Lexo po ashtu Zyrtare: Borussia Dortmund gjen zëvendësuesin e Haaland, nënshkruan me Adeyemin

Faktori Gundogan

Në vitin 2011, Dortmundi përfundoi nënshkrimin e mesfushorit qendror Ilkay Gundogan nga Nuremberg për 5 milionë euro.

Gundogan ishte një pjesë kryesore e ekipit që arriti në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2013, dhe ai nënshkroi për Manchester Cityn për 27 milionë euro në vitin 2016.

Një Pulisic i panjohur

Christian Pulisic mbërriti në Borussia Dortmund në vitin 2015 si një sulmues praktikisht i panjohur në futbollin evropian.

Rritja e amerikanit ishte e jashtëzakonshme dhe katër vjet më vonë ai iu bashkua Chelseat në një marrëveshje me vlerë 64 milionë euro.

Hummels: Njeriu që u largua dhe u kthye

Karriera e Mats Hummels ka konsistuar në lëvizjen e tij midis Bayern Munich dhe Dortmund.

Mbrojtësi qendror iu bashkua Dortmundit nga akademia e Bayernit në vitin 2009 për 4 milionë euro, përpara se të kthehej në Mynih në vitin 2016 për 35 milionë euro.

Në vitin 2019, Hummels u kthye në Dortmund në një marrëveshje me vlerë 30 milionë euro, ku ai është ende duke luajtur.

Fitimi nga Mkhitaryan

Henrikh Mkhitaryan nënshkroi për Dortmundin në vitin 2013 pasi klubi gjerman pagoi 27 milionë euro për shërbimet e tij.

Tre vjet më vonë, Manchester United përfundoi një marrëveshje për të nënshkruar me lojtarin për 42 milionë euro, por armeni nuk gëzoi të njëjtin nivel suksesi në Old Trafford.

Rritja e shpejtë e Gotze

Mario Gotze e filloi karrierën e tij në akademinë e Dortmundit dhe u vendos si një nga lojtarët e rinj më të mirë në futbollin botëror përpara se të nënshkruante për Bayernin në vitin 2013.

Ajo marrëveshje ishte me vlerë 37 milionë euro dhe kulmi i karrierës së tij erdhi një vit më vonë, pasi ai shënoi golin e fitores për Gjermaninë në finalen e Kupës së Botës 2014 kundër Argjentinës.

Sahin përfundoi te Real Madridi

Nuri Sahin u shfaq si një lojtar i ri i jashtëzakonshëm gjatë kohës së tij në Dortmund, pasi kishte kaluar nëpër akademinë e klubit.

Në verën e vitit 2011, Real Madridi e nënshkroi atë për 10 milionë euro, por dëmtimet bënë që ai të mos ishte në gjendje të shkëlqente në Santiago Bernabeu.

/Telegrafi/

Exit mobile version