Telegrafi

Berisha i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme të hetojë kryeministrin Rama

Në konferencën e përjavshme për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të hetojë sa më parë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për aferën e impianteve të plehrave, të njohur si inceneratorët.

Ai u shpreh se “organi i akuzës duhet të reagojë përpara se Ramës t’ia bëjnë gjyqin qytetarët”.

“Nuk ka kontratë që nuk zgjidhet, përveç kontratës së ndërmarrjes së Edi Ramës. SKAP-i kryen një vepër penale që nuk vepron. SKAP-i nuk mund ta shpëtojë kurrë Edi Ramën. Është më mirë që të veprojë SKAP se të veprojnë qytetarët, që t’i bëjnë një gjyq publik Edi Ramës”, tha Berisha.

“Edi Rama ka firmën e tij mbi një bonus për një ndërmarrje që nuk ekzistonte mbi tokë. Një sipërmarrje që merr bonusin dhe vetëkrijohet tetë muaj më pas. Por, i kapur përfundimisht si drejtues i një organizate kriminale të djegësit, ai vazhdon në parimin e krijimit të dominancave me afera të tjera shumë më të mëdha. Për të besuar se kështu do i mbyllë dhe do i vendosë në harresë, palë-palë”, shtoi ai.

“SKAP-i i partisë, po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për ta shitur si një aferë të disa punonjësve të kësaj sipërmarrje gjigante të krimit ekonomik të Edi Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës. Çdo hap që bëhet, bëhet me qëllimin e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën nga krimi që ai personalisht ka kryer”, tha Berisha.

“Inceneratorët janë sipërmarrje direkte e Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës. Janë, sepse Edi Rama, për të mbushur thasët me euro me grupin e tij mafioz, organizatën e strukturuar kriminale, pranon të firmosë, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me qëndrimin e Autoritetit të Prokurimeve Publike, që i thotë se procedura ‘negociatë e mbyllur’ nuk ekziston në ligjin shqiptar, me fjalë të tjera, ekziston vetëm në kodet e mafies”, sqaroi Berisha. /Telegrafi/