Lojtari më i mirë i FIFA-s, Cristiano Ronaldo është ende pas Lionel Messit, sipas bullgarit Dimitar Berbatov, i cili thotë se ylli i Barcelonës është “më i madhi” ndonjëherë.
Pas ndihmesës që i bëri Real Madridit për të mbajtur trofeun e Ligës së Kampionëve dhe për të fituar La Ligën, Ronaldo mori çmimin individual për herë të dytë me radhë, duke përfunduar përpara Messit dhe Neymarit.
Por, edhe përkundër këtij çmimi, ish-sulmuesi i Djajve të Kuq, Berbatov, mendon se ylli argjentinas, Messi është më i mirë në botë, ndërsa ish-bashkëlojtarin e tij, Ronaldon e cilëson si të shkëlqyeshëm.
“Ai është më i madhi ndonjëherë. Ronaldo është i shkëlqyeshëm, por Messi është lojtari që pëlqej më shumë”, ka thënë fillimisht Berbatov për ESPNFC.
“Ai e sheh lojën më qartë. Ai mund të shënojë, të krijojë, është lojtari i kompletuar, më i miri ndonjëherë”.
“Lojtarët e rinj përpiqen dhe imitojnë lojtarët më të mirë si Ronaldo. Ata përpiqen të imitojnë flokët, rrobat, makinat dhe driblimet”, shtoi bullgari.
“Unë përpiqem t’u tregoj atyre se sa fortë punon Cristiano Ronaldo në stërvitje dhe pas tyre”.
“Ai vetëm donte të ishte më i miri. Gjithçka tjetër vjen pas saj”, përfundoi ish-sulmuesi i Manchester Unitedit.
Ndryshe, Berbatov aktualisht luan te Kerala Blasters në Indi, ndërsa në të kaluarën ka luajtur edhe për Bayer Leverkusen dhe Tottenham Hotspur. /Telegrafi/