Partia Socialiste e Shqipërisë nuk ka një datë të preferuar për zgjedhjet vendore.
Kështu u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla pas takimit me presidentin Bajram Begaj, në kuadër të konsultimeve të nisura me partitë politike në vend për të rënë dakord për një datë për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ai nënvizoi se PS është e gatshme të shkojnë në zgjedhje në çdo datë që do dekretohet nga presidenti.
“Ne nuk kemi qenë të prerë në një propozim tonin, apo sugjerim tonin për një datë të caktuar. Besojmë që presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet. PS është gjithmonë e gatshme të marrë pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojë ato në secilin prej datave që do i dekretonte presidenti”, u shpreh Balla.
Zgjedhjet pritet të mbahen mes 15 prillit dhe 15 majit, siç e parashikon edhe Kushtetuta.
Më herët presidenti Begaj zhvilloi një takim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe përfaqësues të opozitës.
Pas takimit me Begajn dje, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se temë diskutimi në takim ishte data e zgjedhjeve lokale, ndërsa shtoi se ka propozuar një datë. /Telegrafi/