Telegrafi

Baballarët e Duas dhe Ritës komentojnë fotografinë e Seit Lipës dhe Besim Sahatçiut në Pejë: Një qytet i vogël që i jep botës kaq shumë talent

U publikua së fundmi në rrjetet sociale një fotografi e rrallë e realizuar në vitet e gjashtëdhjeta.

Dy zotërinj të ulur në një tryezë të veshur elegantë teksa bisedonin, pa e ditur se ndonjë ditë dy mbesat e tyre do të bëheshin diva botërore.

Bëhet fjalë për gjyshërit e këngëtareve shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora dhe Dua Lipa, të ndjerët Besnik Sahatçiu dhe Seit Lipa.

E njëjta fotografi u publikua nga babai i Duas, Dukagjini, në rrjetin social Instagram, i cili gjithashtu vuri në dukje se babai i tij së bashku me babanë e Besnikut (babait të Ritës), kishin raporte shumë të mira.

Lexo po ashtu Publikohet fotografi e rrallë e gjyshërve të Rita Orës dhe Dua Lipës së bashku

“Babai im, Seit Lipa dhe Zotëri Besim Sahatçiu, gjyshërit e Dua Lipës dhe Rita Orës duke pirë së bashku nga një pije në vitet 1960 në qytetin e Pejës”, shkroi Dukagjin Lipa në mbishkrimin e fotografisë.

Ndërkohë, përbri kësaj fotografie nuk ka munguar komenti i babait të Ritës, Besnikut, i cili e ka përshkruar fotografinë si një imazh me shumë ëndrra – me talentin e dy vajzave që prejardhjen e kanë nga i njëjti qytet, dhe tani pushtojnë botën e muzikë ndërkombëtare.

Foto: Dukagjin Lipa/Instagram

“Dy miq nga Peja, Kosovë. Një qytet i vogël i mrekullueshëm që sjell kaq shumë talent në botë. Ata do të ishin shumë krenarë të shikonin suksesit e arritur nga mbesat e tyre”, ka qenë komenti i Besnik Sahatçiut në Instagram.

Rita Ora, mbiemri i vërtetë i së cilës është Sahatçiu, vjen nga një familje me prejardhje nga Peja, por ka lindur në Prishtinë dhe në moshën një vjeçare është shpërngulur së bashku me familjen në Britaninë e Madhe.

Rita Ora (Foto: Gareth Cattermole/Getty Images/Guliver)

Edhe familja e Duas kanë prejardhje nga ky qytet. Dua ndryshe nga Rita është lindur në Londër, dhe për një periudhë kohe në moshën e adoleshencës ka jetuar në Prishtinë. /Telegrafi/

Dua Lipa (Foto:  Mark Metcalfe/Getty Images/Guliver)