Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë kontakti nga Real Madridit për Mauro Icardin.
Në një intervistë për Domenica Sportiva, pas fitores së Nerazzurrëve ndaj Chievos (5-0), i ka komentuar spekulimet rreth të ardhmes së sulmuesit kryesor.
“Icardi te Madridi? Nuk kemi nevojë ta bindim të qëndrojë te Interi, ai ka kontratë afatgjate këtu dhe vullneti i tij është shumë i qartë”.
“Ai është kapiteni jonë dhe dëshiron të fitojë me këtë fanellë. Kjo i tejkalon kontratat dhe klauzolat”.
“Madridi nuk na ka kontaktuar, por do të ishte punë e tyre që ta bindnin Mauron që të hiqte dorë nga një projekt si i joni, në të cilin ai është drita udhëheqëse”.
“Për më shumë, klauzola nuk është problem”, ka deklaruar Ausilio.
Drejtori i zikaltërve ka folur edhe për derbin e javës së ardhshme kundër Juventusit.
“Është mirë të jesh në krye, por unë preferoj të jem real. Duhet të mbesim të përqendruar, rrugë është akoma shumë e gjatë”.
“Të gjithë po na ndjekin dhe gjërat mund të ndryshojnë për një kohë shumë të shkurtë, por Interi dëshiron të qëndrojë këtu lartë”.
“Juve-Inter nuk është ndeshje vendimtare, sepse jemi në dhjetor. Siç thash, rruga është akoma e gjatë. Do të shkojmë në Allianz (stadiumin e Juves) që të bëjmë një ndeshje serioze”, është shprehur Ausilio. /Telegrafi/