Siç është raportuar më herët, një zjarr ka shpërthyer pranë një prej gjashtë reaktorëve bërthamorë në centralin Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore.
Si pasojë, zyrtarët në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) si dhe qeveria e SHBA thuhet se kanë qenë në kontakt me autoritetet ukrainase për situatën.
Dhe Graham Allison, një ekspert i sigurisë bërthamore në Universitetin e Harvardit, i thotë BBC-së se reaktori mund të “shkrihej” nëse zjarri do të vazhdonte, përcjell Telegrafi.
Kështu, ai ka paralajmëruar se kjo do të nxiste një lëshim të radioaktivitetit që kontaminon zonën përreth për vite me radhë, si gjatë fatkeqësisë së Çernobilit të vitit 1986.
Zaporizhzhia NPP is under fire! The entire Europe is at risk of a repeat of the nuclear catastrophe. Russians must stop fire! pic.twitter.com/P46YxKZZ0W
— Михайло Подоляк (@Podolyak_M) March 4, 2022
Por Allison paralajmëron se është ende shumë herët për të ditur se çfarë saktësisht ka ndodhur atje.
Reaktori në fjalë thuhet se ka qenë në rinovim dhe kjo mund të sugjerojë se përmban më pak karburant bërthamor, vuri në dukje ai.
Allison beson se forcat ruse mund të përpiqen ta detyrojnë centralin të “dalë jashtë pune” në mënyrë që të ndërpresin energjinë elektrike në zonën përreth.
Ndërkohë Rregullatori i Ukrainës i tha IAEA-s se nuk ka pasur ndryshime të raportuara në nivelet e rrezatimit në vendin e centralit, ka postuar në Twitter agjencia bërthamore.
Zaporizhzhia kontribuon rreth një të katërtën e fuqisë së Ukrainës dhe është më i madhi në Evropë.
Ndryshe, se centrali bërthamor i Zaporizhzhia në Ukrainë është goditur dhe aty ka zjarr, kishte raportuar fillimisht Dmytro Orlov, kryebashkiaku i qytetit të afërt të Enerhodar.
“Kërcënim për sigurinë botërore!!! Si pasojë e granatimeve të pamëshirshme nga armiku i ndërtesave dhe blloqeve të centralit bërthamor më të madh në Evropë, centrali bërthamor i Zaporizhzhisë është në flakë!!!”, kishte thënë Orlov, përcjell Telegrafi.
Dhe pas kësaj, presidenti i Ukrainës ka kërkuar “veprim të menjëhershëm” nga bota mes sulmeve ruse në centralin më të madh bërthamor të Evropës.
“Centrali më i madh bërthamor në Evropë është në zjarr tani”, ka thënë Volodymyr Zelensky në një video të postuar në Twitter, përcjell Telegrafi.
Duke kujtuar “katastrofën globale” në Çernobil në vitin 1986, ai paralajmëroi se pasojat e një “shkrirjeje” në Zaporizhzhia do të ishin shumë më të këqija.
“Evropianë, zgjohuni ju lutem. Thuajuni politikanëve tuaj se forcat ruse po qëllojnë në centralin bërthamor në Ukrainë”, u lut ai.
Zelensky tha se ai kishte qenë në kontakt me liderët nga SHBA, Britania e Madhe, BE, Gjermania dhe Polonia, si dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, por u bëri thirrje qytetarëve të zakonshëm që të ngrenë alarmin edhe me politikanët e tyre. /Telegrafi/