Mesfushori i Real Madridit, spanjolli Marco Asensio po shqyrton mundësitë e tij për sezonin e ardhshëm, teksa po kërkohet nga skuadrat e mëdha evropiane.
Asensio ka treguar talentin dhe klasin e tij që nga transferimi te Real Madridi, por ka dështuar të gjej një vend titullari nën drejtimin e Zinedine Zidanes.
Kjo situatë, edhe përkundër paraqitjeve të mira dhe golave të shënuar e ka frustruar talentin spanjoll, i cili po shqyrton të ardhmen e tij.
Sipas mediumit spanjoll Diario Gol, disa gjigantë të Ligës Premier janë në kontakt me Asension, të vetëdijshëm për frustrimet e tij që nuk po luan.
Spanjolli u sigurua nga presidenti Florentino Perez verën e kaluar, që do t’i jepte mundësi më të mëdha për të luajtur këtë sezon, por ai mbetet një lojtar rezervistë nën urdhrat e trajnerin Zidane.
Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është i etur për ta pasur në skuadër talentin spanjoll, ndërsa në Ligën Premier kërkohet edhe nga londinezët e Chelseat dhe Arsenalit.
Megjithatë, lista e skuadrave që e duan spanjollin nuk përfundon këtu, pasi edhe PSG-ja dhe Juventusi janë gjithashtu në kontakt me përfaqësuesit e të riut.
Asensio po i lë opsionet e tij të hapura, megjithëse të gjithë të interesuarit janë njoftuar se ai nuk do të shqyrtojë asnjë ofertë deri në qershor.
Anësori i Realit dëshiron të presë për të parë nëse mundësitë e tij të lojës përmirësohen para se të marrin një vendim përfundimtar. /Telegrafi/