Site icon Telegrafi

Arthur thyen heshtjen duke iu bashkuar debatit: Ronaldo është më i çastshëm dhe më i afërt se Messi, por të dy janë kampionë

Arthur Melo ka thënë se Cristiano Ronaldo është ‘më i çastshëm’ si bashkëlojtar sesa Lionel Messi, me përfaqësuesin brazilian që ka punuar me dy ndër më të mëdhenj e të gjitha kohërave në Barcelona dhe Juventus.

Mesfushori brazilian përfundoi një kalim nga Katalunia në Torino gjatë verës, duke bërë atë të punojë me pesë herë fituesin e Topit të Artë, Ronaldon, pasi që punoi me gjashtë herë fituesin e këtij çmimi, Messin.

Arthur heziton të futet në një debat lidhur me atë se cili nga ikonat e ditëve moderne mund të konsiderohet më i miri, por ai e pranon që Ronaldo është më i afërt me njerëz sesa rivali i tij i përjetshëm argjentinas.

“Ata janë kampionë mbi të gjitha. Në këtë, Messi dhe Ronaldo janë identikë. Të përqendruar nga fillimi në fund, gjithmonë”, ka thënë fillimisht Arthur për Marca.

“Nëse ata shënojnë tre gola, ata menjëherë mendojnë për të katërtin. Ata kurrë nuk ngopen. Është mbresëlënëse dhe njëkohësisht motivuese, sepse ata ju shtyjnë të bëni më të mirën tuaj”.

“Në krahasim me Messin, Ronaldo flet më shumë dhe është më i çastshëm. Ai kurrë nuk tërhiqet nëse një shok skuadre ka nevojë dhe ai frymëzon vendosmëri të fortë”.

“Ai stërvitet si një kafshë, nuk e di se çfarë është pushimi dhe gjithmonë të inkurajon të bësh më të mirën. Ai nuk i lë asgjë rastësisë”.

“Unë tashmë e dija sepse njerëzit flasin, bota e futbollit është e vogël dhe ata ju tregojnë për këtë. Ata ju tregojnë se çfarë bën, por kur e shihni nga afër është mbresëlënëse”.

“Ka ditë kur kthehemi në dy të mëngjesit sepse kemi luajtur vonë dhe ai fillon stërvitjen. Kush e bën atë? Cristiano. Bëj shaka dhe i them se është i sëmurë, por çfarë do t’i thuash dikujt që ka kaq shumë Topa të Artë. Mendërisht ai është shumë i fortë”.

“Që kur mbërrita, ai më ka ndihmuar shumë sepse ne flasim të njëjtën gjuhë. Ai është gjithmonë afër dhe më ndihmon, për shembull, në gjëra që nuk i kam kuptuar. Edhe në ushqim, ai madje më thotë se çfarë të ha”.

“Ai kujdeset për të tjerët, gjithmonë përpiqet të ndihmojë dhe të kontribuojë diçka. Unë kam qenë shumë me fat me Cristianon dhe me të gjithë në zhveshtore, ata janë njerëz shumë të mirë”, përfundoi braziliani. /Telegrafi/

Exit mobile version