Telegrafi

Arrihet marrëveshja mes klubeve, Lukaku drejt kthimit te Interi – detajet e kontratës potenciale

(Foto: SNA/FC Inter)

Sipas Sky Sport Italia dhe Sportitalia, Interi ka arritur marrëveshje me Chelsean për rikthimin e Romelu Lukakut në formë huazimi.

Qendërsulmuesi do të kthehet në Giuseppe Meazza për tetë milionë euro plus bonuset, ndërsa dokumentacioni tashmë është duke u hartuar.

Belgu u largua nga Nerazzurrët para një viti për 113 milionë euro, mirëpo menjëherë shprehu zhgënjimin për vendimin e tij duke e kërkuar rikthimin që në dhjetor.

Lexo po ashtu Interi gati për bisedime vendimtare me Chelsean për Lukakun

Nuk është pritur që palët të pajtohen kaq shpejt, mirëpo Interi duhet ta arrijë marrëveshjen para 30 qershorit, në mënyrë që të përfitojë nga lehtësimet tatimore për pagën e tij.

(Foto: Sky Sports)

Bonuset janë të lidhura më shumë me objektivat e klubit sesa të lojtarit, prandaj do të aktivizohen vetëm nëse zikaltrit e fitojnë Scudetton, Ligën e Kampionëve ose Ligën e Evropës deri në 4-5 milionë euro.

Në kontratë nuk do të përfshihet opsioni i blerjes e as obligimi për ta blerë, pra është një huazim i thatë.

Lexo po ashtu Rikthimi i Lukakut në Inter nga Chelsea përballet me 'vështirësi'

Vet Lukaku ka pranuar zvogëlim të dukshëm në pagë, në mënyrë që të realizohet transferimi.

Sipas FCInterNews.it, 29-vjeçari do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore ditën e premte. /Telegrafi/