Analisti politik, Drilon Gashi, i ftuar në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com të enjten ka folur për raportet e Kosovës me Serbinë, dialogun dhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ai ka thënë se arsyeja pse dialogu ka mbetur peng është për shkak se Serbia nuk do as de-facto e as de-juro ta njohë Kosovën dhe integritetin territorial të saj.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do ta shtynin Serbinë që ta njihte këtë, atëherë nuk do të kishim tensione”, është shprehur Gashi.
Ai tutje ka thënë se në të kaluarën Kosova i ka prirë valles së dialogut me Serbinë, duke sjell rezultate në tavolinë dhe duke qenë pala konstruktive, e sipas tij një gjë e tillë nuk po ndodh tani.
“Nuk e di ku po shkojmë me këtë valle. Mendoj që në radhë të parë kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës kanë dashur që ta elabuorojnë më ndryshe interesat e Kosovës kundrejt Serbisë si pjesë e dialogut dhe kanë parë që vazhdimi në dialog me përfundim të paqartë, me marrëveshje të njëpasnjëshme por pa u trajtuar temat bosht, do të jetë joproduktive. Mendoj se Qeveria është munduar që këtë ta bëjë, pra të ketë pozicionim më të ashpër kundër Serbisë që t’i bëjë më të qarta interesat e Kosovës”, ka deklaruar analisti politik.
Sipas tij, autori i tensioneve në Kosovë dhe në të gjithë rajonin mbetet Serbia, ndaj ka thënë se përball kësaj qasje duhet një kujdes i vazhdueshëm në mënyrë që Kosova të mos shihet vetë si prodhuese e destabilizimit dhe të mos shihet se është kundër normalizimit e ta bëjë këtë kundër një shteti më të fuqishëm siç është Serbia.
“Kosova e ka sot më shumë se kurrë më parë një mundësi që të artikulojë qëndrimet e saj, një mundësi që të përfarohet me SHBA-në dhe vendet e BE-së dhe kjo ka vështirësuar paksa situatën e Kosovës sepse e bën kërkesën edhe më të ndjeshme për proaktivitet në radhë të parë, por edhe një qasje shumë të matur e cila përforcohet në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në”.
Gashi ka theksuar se politika amerikane në vazhdimësi ka dashur që Serbia të jetë në anën e Perëndimit dhe pjesë e institucioneve euroatlantike.
“Kjo mund të themi se nuk ka ndryshuar edhe në kohën kur Serbia ishte Jugosllavi. Por, Serbia nuk ndryshoi kurrë. Çka ka ndryshuar besoj kohën e fundit është se Amerika ka thënë se mbase le të jemi edhe më agresivë në përafrimin e Serbisë dhe kjo po shihet në qasje. Pra, le të tentojmë që kjo ta bëjë që Serbia të bëjë hapa më konkretë drejt Perëndimit. Unë besoj se ato hapa janë tejet simbolike”.
Sa i përket masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën, ai ka thënë se ishin të njëanshme pasi të njëjtat mund t’i bëheshin edhe Serbisë.
“Është për keqardhje të them se edhe ndëshkimet që erdhën nga BE-ja edhe ato që erdhën me anë të deklaratave nga SHBA-ja ishin të njëanshme, mund të bëheshin të njëjtat ndaj Serbisë edhe për dhunën e sponsorizuar nga Serbia ndaj ushtarëve të NATO-s edhe për kidnapimin e policëve të Kosovës në territorin e vet. Ndaj këtyre masave do të duhej të kishte lëvizje”.
“Por, një gjë që po kërkon SHBA-ja dhe që ka të drejt është se Qeveria e Kosovës është zot shtëpie në Kosovë dhe e ka në duar edhe çështjen e sigurisë në bashkëpunim me NATO-n sigurisht, por e ka në duar ajo dhe duhet të përkujdeset për sigurinë. ShBA-ja ka të drejt kur kërkon që bashkërendimi me NATO-n të jetë shumë i ngushtë dhe shumë i afërt, sidomos kur vihet në rrezik jeta e ushtarëve e KFOR-it”, ka përfunduar Gashi. /Telegrafi/