Telegrafi

Allegri tregon kushtin që duhet plotësuar për rinovimet e Di Maria dhe Rabiot

(Foto: Getty Images)

Massimiliano Allegri pohon se kualifikimi në Ligën e Kampionëve është kyç për planifikimin e sezonit të ardhshëm, prandaj akoma nuk mund ta konfirmojë të ardhmen e Angel Di Maria dhe Adrien Rabiot.

Të dy futbollistëve u skadojnë kontratat në fund të këtij edicioni, ashtu që e ardhmja e tyre mbetet e paqartë në Allianz Stadium.

Kur është pyetur për planet e Juventusit për të ardhmen dhe nëse do t’ua vazhdojë kontratat dy finalistëve të Kampionatit Botëror, Allegri ka thënë: “Nuk e di, sepse do të mendojmë për sezonin e ardhshëm kur gjithçka të mbarojë”.

Lexo po ashtu Di Maria i gatshëm për kontratën e re me Juventusin

“Tash për tash, nuk e dimë nëse do të luajmë në Ligën e Kampionëve, që është çelësi i planifikimit. Duhet vetëm të përqendrohemi në atë që duhet të bëjmë, kanë mbetur edhe 30 ditë deri në fund të sezonit, prandaj duhet të jemi të fokusuar, pastaj klubi do t’i bëjë vlerësimet e veta”.

Edhe Di Maria edhe Rabiot u transferuan te Juventusi si lojtarë të lirë. Francezi u transferua në vitin 2019, derisa argjentinasi në verën e kaluar. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Rritje e madhe në rrogë me kontratën e re, por Rabiot ka një kusht