Juventusi ka zhgënjyer përsëri tifozët e vet pasi nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 në udhëtim te Fiorentina.
Për më tepër Zonja e Vjetër nuk tregoi aspak lojë të mirë, ku në 45 minutat e pjesës së dytë nuk pati asnjë tentim në drejtim të portës së vendasve.
Sikur mos të mjaftonte loja e keqe, pas ndeshjes me Fiorentinën trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka tërbuar edhe më shumë tifozët bardhezi.
Ndeshja e radhës e torinezëve është me PSG-në në udhëtim, derisa Allegri nuk ka folur fare për të, duke mos pasur shpresa se mund të bëjnë ndonjë gjë.
“Ndeshja e radhës vjen pas tre ditësh dhe do të shohim se si jemi. Ndeshja më e rëndësishme është ajo me Benfikën në shtëpi, do të përgatisim mirë sepse është një ndeshje e rëndësishme dhe e nivelit të lartë”.
“Për ne ndeshjet kundër Benfikës dhe Maccabi Haifas janë më të rëndësishme”, u shpreh Allegri.
Kaq ka mjaftuar që tifozët të revoltohen ndaj dkelaratës së trajnerit italian, pasi ai e sheh Juventusin si inferior përballë Paris Saint Germain në grupet e Ligës së Kampionëve.
Krejt në fund Allegri foli edhe për rikthimin në fushë të dy yjeve të mëdha të Juventusit, Paul Pogbas e Federico Chiesas.
“Shpresoj që Pogba dhe Chiesa të rikuperohen sa më shpejt të jetë e mundur, edhe pse nuk mendoj se do të jenë gati në muajin shtator. Ndoshta në fillimin e tetorit do të bashkohen me skuadrën dhe në momentin që do të jemi të plotë, atëherë mund të dhurojmë edhe paraqitje të bukura në fushë”, u shpreh Allegri. /Telegrafi/