Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se palët humbën rastin për t’i dhënë vendit një President dinjitoz.
Pas dështimit të raundit të tretë në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit, i cili kaloi pa votim për shkak se nuk u paraqit asnjë kandidaturë, Alibeaj në një komunikim me mediet bëri përgjegjëse mazhorancën për dështimin e procesit.
Ai u shpreh se Kryeministri Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja që kishin në fillim palët për zgjedhjen e Presidentit.
“Në momentin kur ne ofruam rregullat që u pranuan, u pa qartë që nga ana e Ramës ndodhi ajo që ai di të bëjë gjithmonë, të tërhiqet. Për shkak të ndryshimeve famë zeza të vitit 2008, Presidenti zgjidhet me 71 vota. Humbëm një rast për t’i dhënë Shqipërisë një institucion që do duhet të kishte legjitimitetin e palëve, që më vonë të ishte i tillë që sa herë të kishte sfida, të qëndronte në mënyrë serioze në lartësinë e detyrës”, u shpreh Alibeaj.
Alibeaj tha se nuk duhet një president i njëanshëm, por për të zgjedhur një president mbi palët duhej që gjatë këtij procesi, palët të ishin së bashku.
“Kjo është arsyeja pse i qëndruam paktit ne, i qëndruam dakordësisë me idenë të mos jetë President vetëm i palëve. Se ishte ajo puna e tangos. Jo, nuk është president tangoje, jo, është President i shqiptarëve. Detyra jonë është të përfaqësojmë zërin e shqiptarëve. E si e përfaqëson zërin e shqiptarëve duke bërë një proces të tillë? E dini fare qartë që në fillim, ne do marrim pjesë sepse alternativa tjetër do ishte bojkoti dhe nga bojkoti askush nuk fiton, por do marrim pjesë dhe për faktin për t’i grisur maskën e hipokrizisë që PS dhe Edi Rama hodhi dikur sikur donin konsensus mbi palët. E pra ne bëmë pjesën tonë, pala tjetër është nuk bëri pjesën e vet”, tha Alibeaj.
Bisedimet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në tre raundet e para nuk prodhuan asnjë rezultat.
Shumica parlamentare i qëndroi vendimit për të mos depozituar asnjë kandidaturë nën argumentin se deri në raundin e tretë kjo është një e drejtë ekskluzive e opozitës, por demokratët në parlament nuk ndryshuan qasje duke e cilësuar këtë ftesë si të pa sinqertë.
Me dështimin e raundit të tretë i hapet rrugë mekanizmit zhbllokues të parashikuar në Kushtetutë ku raundi i katërt dhe i pestë parashikon një votim me shumicë të thjeshtë votash.
Agjenda e socialistëve është programuar që më parë ku pritet që pas djegies të raundit të tretë të mbledhin kryesinë ku do të bëjnë publik edhe emrin që do të çojnë për votim si President i ri i Republikës.
Kushtetuta përcakton se një kandidat për president propozohet me firmat e 20 deputetëve.
Në tre raundet e para, Kushtetuta përcakton se kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të cilësuar, 84 vota.
Në raundin e katërt dhe të pestë, presidenti zgjidhet me shumicë të thjesht, me 71 vota. /Telegrafi/