Telegrafi

Ajaxi njofton Chelsean dhe Barcelonën për çmimin e portierit Onana

Andre Onana do të largohet në fund të sezonit nga Ajaxi dhe tanimë kjo është konfirmuar.

Portieri kamerunas ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme në dy vitet e fundit me gjigantin holandez dhe ka zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha.

Onana ka qenë pjesë e La Masias, por në verën e vitit 2015 si 19 vjeçar u largua në drejtim të Ajaxit për vetëm 150 mijë euro.

Që nga ajo kohë kamerunasi ka pasur ngritje të vazhdueshme, derisa sot vlerësohet si njëri nga portierët më premtues.

Chelsea dhe Barcelona mbetën favoritët kryesor për të nënshkruar me të, mirëpo situatën e tij po e përcjellin edhe Roma, PSG e Bayern Munich.

Kampioni në fuqi i Holandës, Ajax ka vendosur ta respektojë dëshirën e Onanas për tu larguar në drejtim të një kampionati më të fortë.

Mediumi holandez De Telegraaf ka raportuar se bardhekuqtë tani i kanë vendosur çmimin e largimit prej 40 milionë eurove portierit të tyre.

Skuadrat që duan shërbimet e Onanas duhet të paguajnë shumën e kërkuar nga Ajaxi, në të kundërt Onana do të vazhdoj të mbetet në Amsterdam. /Telegrafi/