Telegrafi

Agjenti i Messit reagon ndaj lajmit “të rremë” për transferimin e tij

(Foto: Instagram/leomessi)

Agjenti i Lionel Messit është përpjekur t’i përgënjeshtrojë njoftimet lidhur ma kalimin e klientit të tij te skuadra nga MLS, Inter Miami.

Është raportuar se superylli argjentinas është pranë kalimit në kampionatin amerikan te klubi ku është president dhe bashkëpronar David Beckham.

35-vjeçari ka shprehur interesim në të kaluarën për të shkuar në MLS, ndërsa në vitin 2020 kishte deklaruar se do të ishte ëndërr për të që të luante në Amerikë.

(Foto: Instagram/leomessi)

Ai ka edhe një vit në kontratën me Paris Saint-Germainin, megjithatë klubi francez synon t’ia zgjatë qëndrimin.

Megjithatë, këto ditë kanë qarkulluar spekulime se Messi (që ka shtëpi në Miami) mund të kalojë në MLS dhe se atë do ta ndjekin edhe miqtë e tij nga Barcelona, Cesc Fabregas dhe Luis Suarez.

“Është e pavërtetë, është lajm i rremë. Nuk ka bisedime që Lionel t’i bashkohet Inter Miamit në sezonin e ardhshëm”, ka thënë agjenti Marcelo Mendez për CNN. /Telegrafi/