Edhe 25 intelektualë dhe profesorë universitarë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me kufizimet financiare të vendosura ndaj mbrojtjes juridike të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe personave të tjerë të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Profesorët universitarë përmes një letre që i kanë dërguar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu, theksojnë se vendimi për të zvogëluar shpenzimet për mbrojtjen juridike cenon të drejtën për një mbrojtje efektive dhe barazi në proces, duke vënë në rrezik integritetin dhe legjitimitetin e kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së.
Në letrën e tyre, 25 profesorët universitarë kërkojnë rishikimin urgjent të udhëzimit administrativ që kufizon mbështetjen financiare, me qëllim që të sigurohet respektimi i të drejtave të të akuzuarve dhe të mbrohet e drejta historike dhe ligjore e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Nënshkrues të kësaj letre, që i është dorëzuar në muajin prill kryeministrit Kurti dhe ministres Haxhiu janë profesorët e njohur, si Enver Hasani, Hakif Bajrami, Muhamet Mustafa, Isa Qosja, Shefkije Islamaj, Adem Rusinovci, Shkumbin Istrefi, Ismet Sijarina, Luan Jaha dhe shumë të tjerë.
Si intelektualë dhe profesorë universitarë, ata në letrën e tyre konsiderojnë se kufizimi i shpenzimeve financiare për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së dhe/ose të personave të akuzuar për krimet e supozuara, siç përcaktohen shprehimisht në Ligjin Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përbën vendim të pabazë, të paarsyeshëm dhe joproporcional, i cili njëkohësisht paraqet edhe kufizim të mundësisë dhe të aftësisë për mbrojtje të kauzës së drejtë të luftës heroike të UÇK-së.
Duke qenë të bindur në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe duke marrë në konsideratë rreziqet e rikonfirmimit të integritetit të saj, 25 profesorët universitarë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për rishikimin e këtij udhëzimi administrativ, në mënyrë që të mos kufizohet dhe pengohet arritja e qëllimit.
Kjo është letra e plotë e profesorëve universitarë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe ministres Haxhiu