Telegrafi

Zyrtarët serbë “kërcënojnë” me rezistencë, reagon Presidenca: Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim situate

Ditëve të fundit në veri të Mitrovicës, u është vënë zjarri disa veturave me targa RKS, si dhe ka pasur sulme ndaj zyrtarëve policorë.

Lidhur me këto raste, policia ka arrestuar M.B i cili dyshohet edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku mbetën të plagosur dy policë.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, zyrtarët e lartë shtetëror të Serbisë dhe udhëheqësit e Listës Serbe kanë paralajmëruar “rezistencë” nëse nuk lirohet M.B.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se Rakiq po kërcënon me rezistencë dhe kryengritje.

“Kreu i Listës Serbe, Rakiq përkrahë Petkoviqit kërcënon me “rezistencë dhe kryengritje” në Kosovë. Megjithatë, asnjë fjalë dënimi nga Petkoviq për djegien e veturave të serbëve vendas! Serbia dhe Lista Serbe kërcënojnë me dhunë. Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim në terren”, ka shkruar Vela.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të dielën, se përmes arrestimit të serbëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit.

“Është shumë e qartë se një situatë e vjetër është në horizont, dhe një krizë e re e prodhuar nga Prishtina”, tha Daçiq.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “reagojë urgjentisht” dhe të bëjë presion mbi autoritetet në Prishtinë për ta parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Kurse, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se populli serb do të mblidhet dhe do të protestojë nëse M.B, i cili akuzohet për djegien e veturave dhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës, nuk lirohet.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri Albin Kurti po shkakton incidente për të shmangur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Petkoviq theksoi se është obligim i Prishtinës të formojë Asociacionin dhe se të gjitha marrëveshjet e mëparshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës e detyrojnë ta bëjnë këtë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bëri të ditur të dielën se gjatë natës së 2 prillit, disa zyrtarë policor janë sulmuar në veri të Mitrovicës me mjet shpërthyes- Shok Bombë. /Telegrafi/