Telegrafi

Zv.drejtori i policisë: Personat e armatosur janë të rrethuar – ka ende shkëmbim zjarri

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti ka thënë se nga sulmi në veri, deri më tash siç dihet një rreshter është vrarë ndërsa një tjetër është plagosur dhe lënduar.

Ai në një konferencë për media ka thënë se nuk ka informata nëse ka ndonjë viktimë nga grupi që ka sulmuar Policinë e Kosovës, siç është raportuar.

Hoti ka shtuar se shkëmbimi i zjarrit në veri po vazhdon ende.

Lexo po ashtu Të maskuar e të armatosur - Kurti publikon fotografitë e grupit kriminal që sulmuan policinë në veri

“Deri më tani që kemi informacione zyrtare është një të vrarë dhe dy kolegë që njëri është i lënduar tjetri i plagosur. Nuk ka informacione nga pala tjetër. Momentin që po flasim ka ende shkëmbim zjarri”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se personat që kanë sulmuar policinë, janë të rrethuar.

“Këta persona, që posedojnë kalibër të ndryshëm të armatimit, janë të rrethuar. Kemi marrë masat e sigurisë, kemi vendosur perimetrin e sigurisë”, ka thënë Hoti.

Zv.drejtori i policisë: Personat e armatosur janë të rrethuar – ka ende shkëmbim zjarri. /Telegrafi/