Futbollisti legjendar francez, Zinedine Zidane zgjodhi ndeshjen e tij më të mirë në karrierë gjatë bisedës dhe intervistës me Lionel Messin që ata dhanë së bashku për markën gjermane të veshjeve sportive Adidas.
Dy nga futbollistët më të mëdhenj në histori më në fund u takuan ballë për ballë dhe folën për gjendjen aktuale të botës së futbollit, idhujt e tyre dhe shumë më tepër.
Në një moment, Messi e pyeti Zidanen se cilën ndeshje e konsideronte më të mirën e karrierës së tij dhe përgjigja e tij e befasoi argjentinasin.
“Është e vështirë të zgjedhësh një. Por, po, është një lojë kur kam luajtur për Juventusin. Ndeshja kundër Ajaxit. Ishte gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve dhe ne fituam 4-1 në Torino. Pak njerëz e mbajnë mend, por unë do të thosha atë ndeshje”, ka thënë Zidane.
Messi shtoi se mendonte se do të zgjidhte një nga Kupa e Botës, por Zidane megjithatë zgjodhi lojën në të cilën ai shkëlqeu vërtet.
Ishte një ndeshje e luajtur më 23 prill 1997. Juve fitoi 2-1 në Amsterdam dhe mbrojti avantazhin e saj në Torino dhe ishte pikërisht kjo ndeshje që paralajmëroi ardhjen e “alienit” të futbollit në skenën e madhe.
Që nga ardhja e tij në Juventus, Zidane luftoi me formën e tij në fillim, por ajo lojë tregoi se çfarë lloj lojtari i madh është ai.
Ai drejtoi në mënyrë perfekte mesin e fushës dhe me lëvizjet e tij të kthjella i çoi në çmenduri lojtarët e Ajaxit. Pas dy asistimeve, në minutën e 80-të ai shënoi një nga golat më të mirë të karrierës së tij kur dribloi portierin e famshëm Edëin Van der Sar.
Dy minuta më vonë, ai u largua nga fusha nën ovacionet e tifozëve entuziastë dhe që nga ai moment, për dhjetë vitet e ardhshme, ai sundoi skenën e futbollit botëror dhe u kujtua si një nga lojtarët më të mëdhenj në histori. /Telegrafi/