Site icon Telegrafi

Zhvillim interesant nga Britania e Madhe – Cameron thotë se po e konsiderojnë njohjen e shtetit të Palestinës

Britania do të shikojë mundësinë e njohjes së një shteti palestinez nën përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit me Izraelin, ka thënë Sekretari i Jashtëm, Lord David Cameron.

Ai tha në një pritje në Londër të hënën në mbrëmje se masa do të ndihmonte për të bërë “një zgjidhje me dy shtete” – aktualisht e bllokuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, që e kundërshton një gjë të tillë – një proces “të pakthyeshëm”.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, Lord Cameron diskutoi nevojën për t’i dhënë “popullit palestinez një horizont politik” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hamas ndërsa ai iu drejtua një pritjeje për ambasadorët arabë në Parlament.

Lexo po ashtu SHBA po shqyrton mundësinë për ndalimin e dërgesave të armëve në Izrael

Ndërkohë, ai zotohet se Britania do të “bëjë gjithçka” që mundet për të parandaluar “përhapjen e konfliktit mbi kufijtë” gjatë një vizite në Lindjen e Mesme.

Ndryshe, Netanyahu ka kundërshtuar përpjekjet e aleatëve, përfshirë SHBA-në, për të fituar mbështetjen për propozimin, duke thënë se ai do të “rrezikonte shtetin e Izraelit” ndërsa kritikoi “përpjekjen për të na detyruar”.

Por Lord Cameron shpjegoi se si Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët mund të rrisin presionin duke marrë në konsideratë njohjen e një shteti palestinez në Kombet e Bashkuara.

“Ne duhet të fillojmë të përcaktojmë se si do të dukej një shtet palestinez – çfarë do të përbëhej, si do të funksiononte”, citohet të ketë thënë ai.

“Ndërsa kjo të ndodhë, ne, me aleatët, do të shikojmë çështjen e njohjes së një shteti palestinez, duke përfshirë Kombet e Bashkuara”.

Lexo po ashtu Çfarë është Kulla 22, vendi ku u sulmuan trupat amerikane në Jordani?

“Kjo mund të jetë një nga gjërat që ndihmon për ta bërë këtë proces të pakthyeshëm”.

Lord Cameron do të bëjë këtë javë vizitën e tij të katërt në Lindjen e Mesme që nga emërimi i Sekretarit të Jashtëm në nëntor, ndërsa ai kërkon një ulje të tensioneve.

Duke filluar nga Omani, ai pritet të bëjë thirrje për stabilitet mes sulmeve nga Houthi-t në Detin e Kuq dhe një pauzë të menjëhershme në konfliktin në Gaza, ndërsa ai kërkon të punojë diplomatikisht për të ndaluar luftën Izrael-Hamas nga përshkallëzimi në një konflikt më të gjerë. /Telegrafi/

Exit mobile version