Telegrafi

Zgjedhjet parlamentare – Disa parti politike ende nuk kanë vendosur për koalicione parazgjedhore

Foto: Ilustrim

Derisa po afrohet data për caktimin e zgjedhjeve të parlamentare, disa parti politike në vend janë deklaruar se nuk kanë vija të kuqe për ndonjë parti tjetër politike për të hyrë në koalicion parazgjedhor, ndërsa disa të tjera janë shprehur të gatshme të garojnë pa koalicione paraprake.

Këshilltari i kryetarit të Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacollit, Naim Murseli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende nuk kanë filluar negociata me partitë politike për koalicion parazgjedhorë.

Sipas tij, ata nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti politike.

“AKR nuk ka filluar ende negociatat me asnjë parti politike për koalicion, por është e hapur për të biseduar me të gjithë. Nuk kemi vija të kuqe”, ka thënë Murseli.

Ndërsa, nënkryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi në një prononcim për media kishte thënë se AAK-ja do të garojë në zgjedhje e vetme dhe se janë të gatshëm të udhëheqin me Qeverinë e Kosovës.

Lexo po ashtu AAK garon e vetme në zgjedhjet e reja, insiston në postin e presidentit

E nga Nisma Socialdemokrate ditë më parë ishte deklaruar Endrit Shala, i cili kishte thënë se kjo parti nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike dhe se pas caktimit të datës për zgjedhjet do të vendosin nëse do të bëjnë ndonjë koalicion parazgjedhor me ndonjë parti politike.

Lexo po ashtu Shala: Fillimi i shkurtit do të ishte ideale për mbajtjen e zgjedhjeve

Ndryshe, një ditë më parë kanë përfunduar takimet konsultative me u.d të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe partive politike të cilët kanë diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

U.d. Presidentja Osmani ka theksuar se sapo palët ta marrin Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. /Telegrafi/