Telegrafi

‘Mbylle gojën… Eja këtu poshtë’ – zënka e Allegrit me tifozin e Juventusit, trajneri shpjegon arsyen

(Foto: Screenshot/Twitter/DAZN)

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka pasur një zënkë me një tifoz që ndodhej në tribuna, gjatë ndeshjes ndaj Fiorentinas.

Derisa Zonja e Vjetër ishte në epërsi prej një goli, strategu italian pati një debat në distancë me një tifoz, të cilit i ka thënë ta mbyllte gojën.

Kur po zhvilloheshin minutat e fundit të takimit, Allegri shikoi lart duke iu drejtuar një tifozi që u kishte fishkëllyer futbollistëve të Juves. Ai i është drejtuar me fjalët: “Mbylle gojën” dhe “Eja këtu poshtë”, para se të largohej nga një anëtar i stafit.

“Ata janë lojtarë të Juventusit, kemi nevojë për të gjithë. Nuk më pëlqejnë njerëzit që vijnë në stadium të gatshëm për të fishkëllyer ndaj një ose më shumë lojtarëve, është mungesë respekti. Dua të them, mund të fishkëlleni kur luajmë keq, por jo para kohe”, ka shpjeguar Allegri për DAZN.

Lexo po ashtu Juventusi merr fitore të vështirë në shtëpi ndaj Fiorentinës

Ai gjithashtu e diskutoi incidentin gjatë një konference për shtyp pas ndeshjes duke thënë se një pakicë tifozësh shënjestrojnë disa lojtarë të Zonjës së Vjetër, pavarësisht se çfarë bëjnë ata në fushë, gjë që “nuk duhet të ndodhë kurrë”, veçanërisht pasi klubit iu hoqën 15 pikë këtë sezon. /Telegrafi/