Organizatat mjedisore “Pishtarët”, “Gjethi” dhe “EcoZ”, kanë dorëzuar këtë të enjte padi kundër Ministrisë së Mjedisit, pasi sipas tyre ky dikaster i ka dhënë fshehurazi leje mjedisore kompanisë Kelkos.
Sipas këtyre tri organizatave joqeveritare, një vit më parë ministri i Mjedisit, Liburn Aliu ka mbajtur takime të fshehta me Kelkos dhe pas takimeve, kjo kompani ka marrë leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi” në Deçan.
Kelkos-i ka bërë investimin e parë në Grykën e Deçanit, kur në vitin 2009 ka blerë një hidrocentral ekzistues.
Që nga fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve, në vitin 2014, aktivistët dhe banorët lokalë kanë ngritur zërin për dëmet që i janë shkaktuar lumit dhe zonës përreth.
Deputeti i LDK-së nga Deçani, Armend Zemaj ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve.
Ai ka thënë se ky është mashtrimi i radhës i Kurtit e LVV-së.
“Ashtu siç bënin për pronat tek manastiri ashtu siç bënin për demarkacionin ashtu siç ja humbën Kosovës shumë vite në proceset integruese ashtu siç e pësoi rinia, shteti dhe ekonomia nga mashtrimet e propaganda, ashtu kësaj radhe ja na doli edhe një sihariq tjetër i pushtetit mashtrues të Kurtit”, ka shkruar Zemaj.
Deputeti opozitar thotë se qeveritarët e tanishëm mashtruan popullin dhe ndërtuan kauzë se janë për mbrojtje të Grykës së bukur të Deçanit.
“Na vinin në Deçan here njëri e herë tjetri, por pos që e shijonin peizazhin e bukur, e bënin kinse po kundërshtonin shkatërrimin e natyrës, duke akuzuar për krim të organizuar e privatizim kriminal, ku gjeten edhe njerëz të vullnetit të mirë dhe ndërtuan kauzë se janë për mbrojtje të Grykës së bukur të Deçanit”, vijon tutje reagimin Zemaj.
Deputeti i LDK-së, thotë se pos pajisjes me leje mjedisore kompaninë Kelkos Energy, qeveria nuk ka publikuar vendimin as në webfaqe.
“Por sot, nga pushteti i mashtrimit – Jo që nuk u dolën në mbrojtje por edhe i paskan pajisur me leje mjedisore kompaninë Kelkos Energy, fshehurazi siç dinë ta bëjnë secilin punë, duke privuar publikun nga vendimmarrja, duke mos publikuar as në ëebfaqe të ministrisë duke e ditur që po bëjnë krim mjedisor”.
“Andaj sot pyetjet legjitime për ju janë;
A do të organizoni Protestë?
A do të thirrni Ministrin në Interpelancë?
A do të formoni komision hetimor?
A do të thirrni Konferencë?
A do t’i akuzoni Ministrin dhe Qeverinë për hajni e korrupsion të përbashkët me kompaninë?
Një është e vërtetë!
Viktimat e këtij mashtrimi janë deçanasit, siç është e gjithë Kosova nga kauzat e juaja të rrejshme”, ka shkruar tutje Zemaj./Telegrafi/