Site icon Telegrafi

Zelensky thotë se situata është “e vështirë”, gjatë vizitës së tij në Kharkiv

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thuhet se ka udhëtuar për në Kharkiv të enjten, disa ditë pasi Rusia hapi një front të ri në luftë me një inkursion përtej kufirit në veri të rajonit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zelensky bëri një postim në Telegram për të thënë se kishte mbajtur një takim atje me liderë të lartë.

“Nga sot, situata në rajonin e Kharkiv është përgjithësisht nën kontroll, ushtarët tanë po i shkaktojnë humbje të konsiderueshme okupatorit. Por drejtimi mbetet jashtëzakonisht i vështirë – ne po forcojmë njësitë tona”, citohet të ketë shkruar Zelensky.

Lexo po ashtu Çfarë është simboli i ri që po shfaqet në pajisjet ushtarake ruse në Ukrainë?

Ai tha se gjatë takimit, i cili përfshinte komandantin e përgjithshëm Oleksandr Syrskyi, diskutimet përfshinin “në detaje perspektivat e situatës luftarake, kërcënimet në ditët dhe javët e ardhshme dhe mundësitë tona, ukrainase, për t’iu kundërvënë planeve sulmuese ruse”.

Vizita e tij vjen në kohën kur ushtria ukrainase tha se veprimet e saj mbrojtëse i kishin detyruar trupat ruse të zvogëlojnë ritmin e ofensivës së tyre në veri të rajonit të Kharkiv të enjten.

Ushtria tha se ka vazhduar luftimet në pjesën veriore të qytetit Vovchansk në rajonin e Kharkiv, me situatën nën kontroll, raporton Reuters.

Ndërkohë Instituti për Studimin e Luftës (ISW) tha në një raport të botuar dje se nuk besonte se forcat ruse kishin avancuar më shumë se tetë kilometra brenda Ukrainës nga kufiri rus me inkursionin e saj të ri në veri.

Lexo po ashtu Zelensky shtyn "të gjitha ngjarjet ndërkombëtare" për ditët në vijim

AFP citoi një zëdhënës ushtarak ukrainas të thoshte “Situata në sektorin e Kharkiv mbetet e ndërlikuar, por po evoluon në një mënyrë dinamike. Forcat tona të mbrojtjes e kanë stabilizuar pjesërisht situatën. Përparimi i armikut në zona dhe lokalitete të caktuara është ndalur”.

Ai raportoi se forcat ruse “gjithmonë po përpiqeshin të krijonin kushte për përparime të reja” dhe shtoi se trupat e Kievit “po përpiqeshin të stabilizonin situatën, të shkaktonin dëme dhe të parandalonin armikun të fitonte terren”. /Telegrafi/

Exit mobile version