Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm për shkëmbim të burgosurve me Rusinë – madje thotë se një gjë të tillë mund ta fillojnë nga sot.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Zelensky tha se shkëmbimi i njerëzve është çështje humanitare dhe një vendim politik varet që varet nga mbështetja e shumë shteteve, transmeton Telegrafi.
Ai theksoi se disa mijëra njerëz tani janë të zënë rob, pasi Rusia ka marrë nën kontroll qytetin port në jug të vendit – Mariupolin.
“Nuk kemi nevojë për ushtarët rusë – thjesht na duhen tonët. Jemi të gatshëm për shkëmbim duke filluar nga sot”, shtoi presidenti ukrainas.
Zelensky i bëri thirrje aleatëve që t’i bëjnë presion Moskës – duke theksuar se “është e rëndësishme të ketë presion politike në çdo instancë – përmes bizneseve të fuqishme, mbylljes së tyre, embargos së naftës – dhe përmes këtyre kërcënimeve në mënyrë të vazhdueshme të bëhet thirrje për shkëmbim ushtarësh”. /Telegrafi/