Telegrafi

Zelensky pret Sekretarin britanik të Mbrojtjes në Kiev

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps ka biseduar sot për forcimin e mbrojtjes kundërajrore të Ukrainës, gjatë takimit që pati në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vizita në kryeqytetin ukrainas, është e para për Shapps që kur mori detyrën e Sekretarit britanik të Mbrojtjes gjatë muajit të kaluar, transmeton Telegrafi.

Britania e Madhe është një nga aleatët më të mëdhenj të Ukrainës, që mbështeti fuqishëm këtë vend nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Lexo po ashtu Konfliktet etnike në rritje te trupat ruse: Nazistët nuk janë në anën tjetër, ata janë mes nesh

“Në emër të gjithë kombit, ju falënderojë për gjithçka që po bëni për ne. Jemi falënderues për ndihmën ushtarake, financiare dhe humanitare. Vlerësojmë shumë atë që po bëni dhe që mund të llogaritim në ju”, tha Zelensky.

Ai foli edhe për bashkëpunimin Kiev-Londër në fushën e mbrojtjes, që i mundësoi Ukrainës të zgjerojë aftësitë e saj në fushëbetejë falë armëve me rreze të gjatë veprimi që i mori nga vendet e perëndimit.

Britania këtë vit i ka dorëzuar raketat Storm Shadow, që i mundësuan Ukrainës të kryej sulme në territoret që kontrollohen nga rusët. /Telegrafi/