Site icon Telegrafi

Zelensky paralajmëron Rusinë se nuk do të ketë falje – përkundrazi, do të ketë “një ditë gjykimi”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar Rusinë se nuk do të ketë falje për atë që po ndodh me vendin e tij – përkundrazi, do të ketë “një ditë gjykimi”.

Deklarata e fundit e Zelensky erdhi të dielën në mbrëmje pasi forcat ruse shtuan granatimet e tyre anembanë Ukrainës dhe përpjekjet për të evakuuar 200,000 njerëz nga qyteti i rrethuar i Mariupolit u bllokuan për të dytën ditë radhazi, përcjell Telegrafi.

Në qytetin Irpin, në periferinë veriperëndimore të kryeqytetit Kiev, rreth tetë civilë – duke përfshirë katër anëtarë të një familjeje – u vranë kur raketat goditën atë pjesë, sipas kryebashkiakut lokal.

Moska ka mohuar vazhdimisht se ka sulmuar zonat civile.

Lexo po ashtu Gjithçka që ndodhi nga dita e tetë deri në ditën e njëmbëdhjetë të agresionit rus në Ukrainë

Zelensky tha: “Ne nuk do t’i falim për shtëpitë e shkatërruara. Ne nuk do të falim për raketën që mbrojtja jonë ajrore rrëzoi mbi Okhmatdyt. Dhe më shumë se pesëqind raketa të tjera të tilla që goditën tokën tonë në Ukrainë, njerëzit tanë, fëmijët tanë”.

“Ne nuk do të falim pushkatimin e njerëzve të paarmatosur. Shkatërrimin e infrastrukturës sonë. Ne nuk do të falim. Qindra e qindra viktima. Mijëra e mijëra vuajtje. Dhe Zoti nuk do të falë. Jo sot. Jo nesër. Kurrë. Dhe në vend të faljes , do të ketë një ditë gjykimi”.

Lexo po ashtu Zelensky: Mos heshtni - sepse nëse Ukraina nuk mbijeton, e gjithë Evropa nuk do të mbijetojë

Ai shtoi: “Kemi dëgjuar premtime se do të ketë korridore humanitare, ato nuk janë këtu, në vend të korridoreve humanitare, mund të bëjnë vetëm korridore të përgjakshme”.

“Sot u vra një familje në Irpin. Burrë, grua dhe dy fëmijë. Pikërisht në rrugë. Kur u përpoqën të dilnin nga qyteti, për të shpëtuar”.

Numri i civilëve të vdekur në të gjithë Ukrainën që kur Rusia nisi agresionin e saj më 24 shkurt është 364, duke përfshirë më shumë se 20 fëmijë, thanë Kombet e Bashkuara të dielën.

Ndërkohë më shumë se 1.5 milion ukrainas kanë dalë jashtë vendit në vetëm 11 ditë në atë që OKB-ja tani e quan “krizën më të shpejtë të refugjatëve në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”. /Telegrafi/

Exit mobile version