Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u propozoi një marrëveshje aleatëve, e cila do të siguronte se Rusia do të kompensonte dëmet që forcat e saja kanë shkaktuar gjatë luftës.
Zelensky, i cili thotë se Rusia po përpiqet të shkatërrojë sa më shumë infrastrukturën e Ukrainës, tha se një marrëveshje e tillë do t’u tregonte kombeve që planifikojnë akte agresive që do të duhet të paguajnë për veprimet e tyre.
“Ne i ftojmë vendet partnere të nënshkruajnë një marrëveshje shumëpalëshe dhe të krijojnë një mekanizëm, e cila siguron që kushdo që vuan nga veprimet ruse të mund të marrë kompensim për të gjitha humbjet e shkaktuara”, tha ai në një video-adresim.
I pari i shtetit ukrainas tha se sipas një marrëveshjeje të tillë, fondet dhe pronat ruse në vendet nënshkruese do të konfiskoheshin.
Më pas ata do të drejtoheshin në një fond të posaçëm kompensimi për vendin e tij.
“Kjo do të ishte e drejtë. Dhe Rusia do të ndiejë peshën e çdo rakete, çdo bombe, çdo predhë që ka gjuajtur ndaj nesh”, tha ai. /Telegrafi/