Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk ka ndikim mbi presidentin rus Vladimir Putin dhe Ukraina nuk ka nevojë për ndërmjetësimin e tij në bisedimet e mundshme të paqes.
Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky më 17 dhjetor.
“Ukraina është një vend i fortë dhe e ka dëshmuar këtë në fushën e betejës gjatë gjithë agresionit të Putinit. A e ka dikush tjetër në Evropë këtë përvojë tani? Jo. A ka Orban një ushtri të tillë? Jo. Si do të ushtrojë presion mbi Putinin? Me një shaka, një buzëqeshje? Le ta mbajë atë”, citohet të ketë thënë Zelensky.
Hungaria ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës, duke kritikuar shpesh sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe duke bllokuar ndihmën ushtarake për Kievin.
Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për marrëdhënie të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, duke hedhur poshtë rolin e Orbanit si ndërmjetës.
“Kryeministri Orban… nuk do të ketë sukses. Unë nuk do ta lejoj atë apo njerëzit si ai të ndërhyjë”, tha ai, duke sqaruar se vërejtjet e tij i drejtoheshin Orbanit, jo popullit hungarez, për të cilin ai argumentoi se në masë dërrmuese mbështesin Ukrainën.
Komentet e Zelensky-t pasuan tensionet e përshkallëzuara pas telefonatës së fundit të Orban me Putinin dhe kritikave të tij ndaj Zelenskyt për gjoja refuzimin e një propozimi për armëpushim të Krishtlindjeve.
Zyrtarët ukrainas i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar fokusin e tyre në arritjen e një paqeje të drejtë përmes forcës.
“Negociatat për një paqe të qëndrueshme do të fillojnë vetëm kur armiku nuk ka burime për të vazhduar luftën”, ka theksuar shefi i shtabit të Zelensky, Andriy Yermak më 17 dhjetor, duke shtuar se plani i fitores së Ukrainës u krijua për të forcuar pozicionin e saj. /Telegrafi/