Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u intervistua për herë të parë shumë pranë vijës së parë të frontit të luftës ruso-ukrainase, kur foli me drejtuesin e Fox News, Bret Baier.
Duke iu përgjigjur pyetjes pse u shkarkuan komandanti i përgjithshëm i ushtrisë dhe pjesa tjetër e udhëheqjes së forcave të armatosura ukrainase, ai tha se bëhet fjalë për ristrukturim dhe ndryshim në menaxhimin e komandës ushtarake.
“Ne duhet të jemi më të shpejtë. Kjo do të thotë të heqim qafe të gjithë burokracinë që kemi. Përndryshe nuk kemi asnjë shans”, tha ai për Fox News.
Udhëheqësi ukrainas iu përgjigj pyetjes nëse e dinte se sa shumë kishte humbur në këtë luftë. “Ne e dimë se disa dhjetëra mijëra njerëz u vranë. Dhjetëra mijëra fëmijë gjithashtu u deportuan”, pohoi Zelensky.
“Raporti është një me pesë. Për një ushtar ukrainas të vrarë, janë pesë ushtarë rusë të vrarë”, shtoi ai.
Më 8 shkurt, Zelensky njoftoi shkarkimin e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhny.
Ky i fundit u zëvendësua nga Oleksandr Sirsky, i cili komandonte forcat ukrainase që mbronin me sukses Kievin dhe Kharkivin.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 22 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/