Telegrafi

Zbutet Putini, Rusia do të vazhdojë të respektojë kufizimet për kokat bërthamore

Më herët, Moska tha se do të pezullonte pjesëmarrjen në një traktat të rëndësishëm bërthamor me SHBA-në – por tash duket se është zbutur dhe ka konfirmuar se do të vazhdojë të respektojë kufizimet në numrin e kokave bërthamore.

Në fakt, lideri rus, Vladimir Putin gjatë një fjalimi në parlamentin e Rusisë kishte pohuar se vendi i tij do të largohet nga marrëveshja “NEW START”, ku ka pohuar se ka dorëzuar projektligjin për tërheqjen nga traktati bërthamor.

Sipas traktatit “NEW START”, i cili u nënshkrua në vitin 2010 dhe u zgjat deri në vitin 2026, SHBA dhe Rusia ranë dakord të kenë jo më shumë se 1550 koka bërthamore strategjike dhe maksimumi prej 700 raketave dhe bombardues me rreze të gjatë veprimi, raporton skynews.

 

Ministria e Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë sot se “për të ruajtur një shkallë të mjaftueshme të para-shikueshmërisë dhe stabilitetit në sferën e raketave bërthamore, Rusia synon t’i përmbahet një qasjeje të përgjegjshme dhe do të vazhdojë të respektojë rreptësisht kufizimet sasiore të parashikuara sipas ‘NEW START” – brenda ciklit jetësor të traktatit”.

Ministria deklaroi gjithashtu se do të vazhdojë të njoftojë SHBA-në sa herë të testojë ndonjë raketë balistike ndërkontinentale (ICBM).

Ndryshe, vendimi i Moskës për t’u tërhequr nga traktati u dënua nga SHBA-ja, NATO-ja dhe Britania e Madhe. /Telegrafi/